Udhëzimet e qeverisë kineze për mediet në vend zbulojnë nivelin e frikshëm të kontrollit nga shteti

19/10/2021 08:58

Komiteti që priti drejtuesen e kompanisë Huawei Meng Wanzhou nuk ia la asgjë rastësisë: që nga ngjyra e gërmave në banderola dhe deri tek udhëzimet se si do të mbulohej nga mediet marrëveshja që siguroi kthimin e saj.

Mediave shtetërore iu dhanë udhëzime strikte, shkruan VOA.

Një direktivë e autoriteteve i udhëzonte kompanitë të shfaqnin mbi godina sloganin “Mirësevjen në shtëpi, Meng Wanzhou!”, për të përshëndetur drejtoren e financave të kompanisë gjigande të telekomunikacionit, e cila ishte mbajtur nën arrest shtëpie në Kanada për tre vjet.

Udhëzime të tjera i udhëzonin mediet të raportonin objektivisht dhe saktë, por t’i trajtonin përgjithësisht “me ton të ulët dhe zbutur” rrethanat e kthimit të zonjës Meng.

Ajo iu rikthye në Kinë në fund të shtatorit pasi arriti marrëveshje me Departamentin amerikan të Drejtësisë për të mos u ngritur akuzat për mashtrim financiar. Marrëveshja zgjidhi një rast të tejzgjatur ligjor dhe politik në të cilin ishin përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Kina.

Direktiva e hollësishme për mediet shtetërore për mbulimin e rastit të saj, u zbulua nga China Digital Times. Që nga viti 2010, kjo faqe e pavarur lajmesh në internet, me seli në SHBA, ka publikuar qindra direktiva të lëshuara nga autoritetet kineze për mediet shtetërore.

Sipas analistëve, direktivat nxjerrin në pah natyrën strikte dhe ndonjëherë të çuditshme të censurës shtetërore – që nga mbulimi medietik për përmbytjet e korrikut në Henan (direktiva ishte “të zhvendoset vëmendja e raportimeve drejt përpjekjes për rimëkëmbje pas fatkeqësisë natyrore”), apo për çështjen e shitësve të rrugës (“lutemi mos ta theksoni më tej”), si dhe deri tek masat për pandeminë në Kinë dhe jashtë saj.

Direktivat janë vërtet të dobishme sepse një nivel i tillë censure nuk ishte i ditur më parë“, i tha Zërit të Amerikës, Angeli Datt, një analiste për Kinën në organizatën Freedom House. “Partia Komuniste Kineze ende dëshiron të përpiqet ta bëjë atë të duket sa më organike dhe natyrale. Nuk dëshiron të tregojë dorën e rëndë të shtetit, edhe pse aty është, dhe njerëzit e dinë që është e pranishme”.

Përqëndrimi i Pekinit në detajet më të vogla ka rëndësi, thanë analistët. Kjo demonstron kontrollin e qeverisë mbi të gjitha aspektet e medias, edhe kur bëhet fjalë për tema në dukje të padëmshme.

Ambasada e Kinës në Uashington i tha Zërit të Amerikës se liria e fjalës mbrohet në vend: “Media kineze, e angazhuar për mbulim objektiv, të paanshëm, të vërtetë dhe të saktë, ka luajtur një rol aktiv në rritjen e mirëkuptimit reciprok midis Kinës dhe vendeve të tjera”, tha një zëdhënës i ambasadës për Zërin e Amerikës përmes postës elektronike. “Liria e fjalës së qytetarëve kinezë, një e drejtë kushtetuese, është mbrojtur plotësisht”.

Në një video të televizionit shtetëror kinez më 25 shtator 2021 shfaqet Meng Wanzhou ndërsa pritet me lule dhe banderola

Vijat e kuqe

Analistja për Kinën në organizatën Human Rights Watch, Yaqiu Wang i përshkroi direktivat e publikuara nga China Digital Times si “një vështrim i brendshëm se si funksionon sistemi”.

Ky sistem ka dy fusha kryesore: autocensurën dhe censurën e zbatuar nga qeveria, sipas zonjës Wang.

Megjithatë, represioni tenton të funksionojë sipas rastit, tha ajo për Zërin e Amerikës, duke shtuar se, “Nuk ka rregulla të qarta”.

Kjo qasje e paqartë ka të ngjarë të jetë e qëllimshme, tha zonja Datt, e organizatës Freedom House.

“Linjat e kuqe politike mbahen gjithmonë qëllimisht të paqarta, sepse nëse nuk e dini kur e keni kaluar atë, me siguri do të jeni më në mëdyshje për të bërë ndonjë gjë që potencialisht mund ta kalojë atë”, tha zonja Datt.

Gazetarët që punuan në mediet shtetërore të Kinës kanë një pikëpamje të ngjashme, dhe thonë se shpesh personeli largohet nga çështjet që ata besojnë se mund të jenë të ndjeshme, për të shmangur probleme.

Dhe ndërsa kishin njëfarë lirie për të mbuluar lajme më pak të ndjeshme politikisht, në përgjithësi gazetarët thanë se kontrolli duket se është rritur vitet e fundit.

Tony Cheng, një gazetar kinezo-britanik, punoi për kanalin kinez CGTN nga viti 2011 deri në 2020. Kur iu bashkua për herë të parë këtij rrjeti, ish-korrespondenti i Al Jazeera-s në gjuhën angleze dhe i BBC-së, tha se kishte shumë liri.

Top Channel