”Lufta e Ftohtë filloi”? Rusia pezullon misionin në NATO, jo më marrëdhënie diplomatike

19/10/2021 11:59

Përplasja e heshtur e Rusisë me NATO-n mbërriti në një tjetër nivel pas vendimit të Moskës për të pezulluar misionin e përhershëm të saj në aleancën më të madhe ushtarake të globit.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov deklaroi se kjo masë ishte përgjigje ndaj vendimit të javës së kaluar të NATO-s, për të dëbuar tetë anëtarë të misionit rus në aleancën ushtarake.

Pas disa masave të caktuara të marra nga NATO, kushtet bazike për një punë të përbashkët, nuk ekzistojnë më. Duke nisur nga 1 nëntori ne do të pezullojmë misionin zyrtar pranë aleancës, përfshirë dhe përfaqësinë ushtarake”.

NATO, shtoi Lavrov, edhe kështu i kishte reduktuar ndjeshëm kontaktet me misionin tonë duke bërë të qartë se nuk është e interesuar për dialogun dhe punën si të barabartë.

Nuk shohim asnjë arsye përse të hiqemi sikur do të ketë ndonjë ndryshim të këtij qëndrimi dhe në të ardhmen, vazhdoi ai.

NATO vetë tha se i dëgjoi komentet e ministrit të Jashtëm rus por nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për çështjet e ngritura.

Ministri i jashtëm gjerman nga ana tjetër, Heiko Maas u shpreh se kjo ishte një lëvizje për të ardhur keq, e cila mund të zgjasë sipas tij, acarin që ka pllakosur marrëdhëniet mes Moskes dhe aleancës.

Një javë më parë NATO akuzoi zyrtarët e misionit rus se po punonin në fshehtësi si oficerë zbulimi dhe mori vendim të përgjysmojë numrin e ekipit të Moskës në selinë e saj.

Top Channel