Koreja e Veriut lëshon raketë balistike drejt Japonisë: Arma më e fuqishme në botë

19/10/2021 11:53

Ushtria koreano-jugore njoftoi se fqinji problematik verior ka lëshuar një raketë balistike nga një nëndetëse e tij në ujërat pranë Japonisë.

Peniani e kishte paraqitur në publik prototipin e kësaj rakete në muajin janar, duke e cilësuar atë si armën më të fuqishme në botë.

Shefat e Përgjithshëm të Shtabit në Seul thanë se lëshimi ishte bërë në lindje të Gadishullit Korean, e kjo u konfirmua edhe nga  rojet bregdetare japoneze.

Sipas mediave në Korenë e Jugut, raketa besohet të ketë përshkuar ndërmjet 430 dhe 450 kilometra.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, dyshon se janë lëshuar dy raketa balistike. Veprimi i Phenianit vjen në një kohë kur kishte njoftime se shefat e inteligjencës së Koresë së Jugut, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara do të takohen në Seul për të diskutuar në lidhje me Korenë e Veriut.

I dërguari i posaçëm i SHBA -së për Korenë e Veriut u tha gazetarëve se Uashingtoni synon “diplomacinë” me Penianin dhe se nuk ka “asnjë qëllim armiqësor” ndaj këtij vendi.

Javët e fundit, Koreja e Veriut ka kryer një mori testesh të asaj që pretendohet se janë raketa hipersonike dhe me rreze të gjatë veprimi.

Top Channel