Facebook-ut i kërkohet të japë informacione për ndikimin e platformave të saj te fëmijët

19/10/2021 18:31

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid, ka thënë se kompania Facebook duhet të tregojë se çfarë di rreth dëmit që shkaktojnë platformat e saj te fëmijët.

Ai u tha të martën ligjvënësve se është “befasuar” kur ka mësuar se një studim i brendshëm i Facebook-ut ka zbuluar se 17 për qind e vajzave adoleshente kanë thënë se platforma Instagram – në pronësi të Facebookut – u ka përkeqësuar çrregullimet në ushqim.

Ai e kritikoi kompaninë se pse nuk ndau studimin me prindër, profesionistë të shëndetit publik dhe politikanë, duke shtuar se “duhet bërë gjëja e duhur” dhe duhet të publikohen informacionet.

Më herët gjatë këtij muaji, një ish-punonjëse e Facebook-ut, Frances Haugen, akuzoi kompaninë se ka qenë e vetëdijshme për dëmin që u shkaktohet disa adoleshentëve dhe nuk është treguar shumë e sinqertë në luftën kundër urrejtjes dhe dezinformimit.

Facebook, në anën tjetër, tha se këto pretendime nuk janë të vërteta dhe nuk ka të dhëna për t’i mbështetur ato./REL/

Top Channel