“BE rrezikon shpërbërjen”/ Mes sherrit, Polonia paralajmëron bllokun evropian

19/10/2021 13:23

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki paralajmëroi udhëheqësit e tjerë të BE-së se blloku rrezikon të shpërbëhet nëse nuk ka “kontroll demokratik” mbi institucionet e saj.

Në prag të një fjalimi në Parlamentin Evropian, Morawiecki u kërkoi krerëve të Bashkimit Europian të mbrojnë sovranitetin e shteteve anëtare dhe tha se Polonia do të mbetet një “anëtare besnike” e BE -së.

Qeveria populiste e krahut të djathtë polak ka qenë në kundërshtim me BE-në për vite me radhë mbi reformat e diskutueshme gjyqësore, por një vendim i Gjykatës Kushtetuese Polake këtë muaj që vinte në dyshim pjesë të ligjit të BE-së, i ashpërsoi edhe më tej tensionet.

Morawiecki tani thotë se Bashkimi Evropian rrezikon të bëhet “një organizëm  me menaxhim qendror i drejtuar nga institucione të privuara prej kontrollit demokratik”.

Ai paralajmëroi se ky është “një fenomen i rrezikshëm që kërcënon të ardhmen e unionit, duke shtuar se “duhet të jemi të shqetësuar të gjithë”.

“Nëse nuk e ndalojmë këtë gjë, shpejt do të ndihen efektet negative. Sot mund të ketë të bëjë vetëm me një shtet-nesër, me një pretekst të ndryshëm, shënjestra do të jetë një tjetër”, u shpreh ai.

Por kryeministri polak shtoi “pa imponuar vullnetin e dikujt mbi të tjerët, mund të gjendet një zgjidhje për ta forcuar më tej Bashkimin Evropian”.

Gjykata Kushtetuese e Polonisë ka vendosur që të hedhë poshtë parimin e përparësisë së ligjit të BE-së mbi legjislacionin kombëtar, në çështje të caktuara gjyqësore dhe Komisioni Evropian tha se po shqyrton masa ndaj Varshavës.

Top Channel