Luftanijet amerikane e kanadeze lundrojnë përmes ngushticës së Tajvanit

17/10/2021 15:55

Ushtria amerikane njoftoi të dielën se dy luftanije, një amerikane dhe një kanadeze, lundruan përmes Ngushticës së Tajvanit në fund të javës së kaluar. Një zhvillim që vjen në një kohë tensionesh të rritura mes Pekinit dhe Taipeit, të cilat kanë shkaktuar shqetësim ndërkombëtar.

Në një reagim të dielën, ushtria kineze dënoi Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë që dërguan anije luftarake në Ngushticën e Tajvanit dhe tha se “ata kanë kërcënuar paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Kina pretendon se Tajvani është territor i saj dhe ka kryer disa herë misione në të ashtuquajturën Zonë Identifikuese e Mbrojtjes Ajrore të Tajvanit (ZIMA), duke provokuar zemërimin e Taipeit. Kjo zonë mbulon një sipërfaqe të hapësirës ajrore, mbi tokë dhe ujë, në të cilin identifikimi, vendndodhja dhe kontrolli i avionëve civilë bëhet nga shteti që pretendon kontroll mbi këtë hapësirë ajrore. ZIMA përfshin një zonë më të gjerë që Tajvani monitoron dhe patrullon, për t’i dhënë më shumë kohë për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi.

Që nga 1 tetori Kina dërgoi rreth 150 avionë në këtë zone, brenda një periudhe katër-ditore.

Ushtria amerikane tha se shkatërruesi i raketave “USS Dewey” lundroi përmes ngushticës që ndan Tajvanin nga Kina së bashku me fregatën kanadeze “HMCS Winnipeg” të enjten dhe të premten.

“Kalimi përmes Ngushticës së Tajvanit tregon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve e partnerëve tanë për një Indo-Paqësor të lirë e të hapur”, thanë zyrtarët e ushtrisë amerikane.

Anijet e marinës amerikane po kalojnë në ngushticë pothuajse çdo muaj, duke shkaktuar zemërimin e Pekinit, i cili ka akuzuar Uashingtonin për nxitje të tensioneve rajonale. Edhe vendet aleate të SHBA-së kanë dërguar herë pas here anije përmes ngushticës, sikurse një luftanije britanike muajin e kaluar.

Ndërsa tensionet në Ngushticën e Tajvanit janë rritur, nuk ka pasur të shtëna apo avionë kinezë që të kenë hyrë në hapësirën ajrore të Tajvanit, duke e përqendruar aktivitetin e tyre në pjesën jugperëndimore të ZIMA-s.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha të dielën se tre avionë luftarakë kinezë, fluturuan sërish mbi këtë zonë.

Top Channel