Njerëzit po luteshin/ Shpërthen bomba në xhami, s`ka qetësi për Afganistanin

15/10/2021 16:08

Gati 40 të vdekur e mbi 70 të plagosur është bilanci i sulmit me bombë që tronditi Kandaharin në Afganistan. Shpërthimi ndodhi në një xhami Shiite, pikërisht në kohën kur besimtarët po kryenin lutjet e së premtes.

Mediat lokale nuk e përjashtojnë mundësinë që bilanci i viktimave të rritet, ndërsa zyrtarët nuk kanë dhënë ende një shifër përfundimtare.

Mbetet e paqartë për momentin nëse sulmi ishte akt i një autori vetëvrasës. Deri tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë mbi ngjarjen e rëndë. Të premten e kaluar, shpërthimi i fuqishëm i shkaktuar prej një kamikaze në një xhami Shiite të Kunduzi në verilindje të vendit, i mori jetën të paktën 150 besimtarë e u plagosën shumë të tjerë. Në atë rast, përgjegjësinë e mori përsipër dega e ISIS-it në Afganistan, shteti Islamik Khorasan (IS-Khorasan), i cili paralajmëroi dhe për të tjera akte të dhunshme.

Top Channel