Merkel e prerë: Të gjithë të bashkuar kundër Kinës, po kthehet në “problem”!

15/10/2021 12:39

Angela Merkel bëri thirrje për një front të bashkuar të BE-së përballë fuqisë në rritje të Kinës.

Si e trajtojmë ngritjen e Kinës si një fuqi ekonomike, politike dhe ushtarake varet shumë nga fakti nëse Evropa me të vërtetë flet me një zë“, tha Kancelarja në largim e Gjermanisë, gjatë një vizite në Spanjë, ku u nderua me çmimin Carlos V.

Fuqia e Evropës varet nga niveli i unitetit të saj“, shtoi ajo.

Një raport i Qendrës për Studimin e Demokracisë me bazë në Bullgari nënvizonte se  se investimet në rritje të ekonomisë kineze në Evropën Lindore dhe Qendrore, gjatë dekadës së fundit, kanë rezultuar edhe me rënie të standardeve të qeverisjes, si dhe kanë ngritur shqetësime në lidhje me mjedisin dhe rritjen e nivelit të borxhit.

Marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Kinës janë përkeqësuar në kohët e fundit për shkak të tregtisë, spiunazhit dhe pandemisë.

Pekini përballet sakaq dhe me kritika e sanksione ndërkombëtare për ndalimin e më shumë se 1 milionë ujgurëve dhe pakicave tjera myslimane në rajonin e Ksinjiangut.

Projekti global i Kinës, “Një brez një rrugë” ka ngjallur shqetësime në Perëndim, pasi po vlerësohet si një projekt i shtrirjes së ndikimit kinez në botë.

Që prej lançimit në 2013 nga presidenti i Kinës, Xi Jinping, në kuadër të kësaj nisme janë ndarë qindra miliarda dollarë për infrastrukturën e jashtme, por shumë vende që kanë marrë kredi nga Kina për projekte infrastrukturore, tani e kanë të vështirë kthimin e tyre e ky po shihet nga perëndimi si një  “kurth” i Kinës për t`i vendosur këto shtete nën ndikimin e saj.

Top Channel