Putin, pa doreza kundër SHBA-së: Hynë ata, e shkatërruan Afganistanin!

14/10/2021 15:43

Vladimir Putin e cilësoi hapur si një “tragjedi” ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Afganistan, duke thënë se Amerika injoroi historinë dhe kulturën e tij kur e pushtoi këtë vend.

Komentet e tij, shefi i Kremlinit i bëri në një forum të energjisë në Moskë, vetëm disa ditë para se Rusia të presë disa anëtarë të Qeverisë së udhëhequr nga talibanët, për të biseduar rreth të ardhmes së Afganistanit.

Liria dhe demokracia nuk mund të ndahen nga kultura dhe traditat e një populli. SHBA-ja ndërhyri në Afganistan në kundërshtim me traditat, kulturën dhe historinë e popullit afgan. Rezultati është tragjik.

Presidenti rus nuk e përmendi ndërkohë historinë e Moskës në Afganistan, që nisi me pushtimin e forcave sovjetike në 1979 për të fuqizuar qeverinë asokohe, komuniste në Kabul. Pas tërheqjes së rusëve në 1989, Afganistani është përfshirë në kaos dhe luftë civile, para se talibanët të merrnin kontrollin e shtetit në mesin e viteve 1990, për herë të parë.

Rusia ka qenë po ashtu mbështetëse e heshtur e pushtimit amerikan në Afganistan më 2001, duke i dhënë miratim Uashingtonit që të përdorë bazat në Azinë Qendrore, si dhe zinxhirët rus të furnizimit për t’iu ndihmuar forcave amerikane që të furnizohen në Afganistan. Tërheqja e SHBA-së gushtin e vitit 2021, pas gati 20 vjetëve të pushtimit amerikan, u bë në mënyrë kaotike dhe e riktheu vendin në duart e talebanëve, duke ngjallur kritika të mëdha.

Top Channel