Kush është gazetari që “ndezi” skenën e ekstremit të djathtë dhe që mund të trondisë zgjedhjet presidenciale në Francë?

14/10/2021 15:03

Nuk ka rëndësi nëse është Jean-Marie apo vajza e tij Marine Le Pen, ata prej dekadash të tëra kanë qenë figura dominuese për ekstremin e djathtë në Francë.

Por tani që kanë mbetur edhe gjashtë muaj nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë, një personalitet i ri ka dalë në skenë. Ai është Eric Zemmour.

Një fillestar në politikë dhe për më tepër s’ka deklaruar ende se synon të kandidojë, por daljet e tij të shpeshta televizive dhe pikëpamjet polarizuese kanë shkaktuar turbullira në media.

Debati televiziv i Zemmour me udhëheqësin e të majtës ekstreme Jean-Luc Melenchon tërhoqi 3.8 milionë shikues. Ai gjithashtu ka kapur titujt kryesorë të mediave, duke përfshirë një kopertinë magjepsëse të revistës “Paris Match”, e cila e shfaqte Zemmour teksa lahej me këshilltaren e tij 28-vjeçare.

63-vjeçari ka qenë prej kohësh një emër i njohur në Francë, madje deri vonë ka qenë një editorialist i rregullt në Le Figaro dhe gazeta të tjera, si dhe një opinionist televiziv i famshëm dhe tepër i njohur për provokimet e tij mbi islamin, emigracionin dhe gratë.

Një sondazh i publikuar javën e kaluar e vendos atë, për herë të parë, në balotazh në raundin e dytë kundër Macron, për president të ardhshëm të Francës.

Sondazhi i jep Zemmour 17 deri në 18 për qind të votave, kundrejt 15 deri në 16 për qind për Marine Le Pen dhe kandidatëve të tjerë të së djathtës franceze.

Ai ka lindur në një periferi të Parisit në një familje hebreje nga Algjeria që erdhi në Francë gjatë Luftës Algjeriane të viteve 1954-62. Babai i tij ishte një ndihmës-mjek, kurse nëna një shtëpiake.

Zemmour është diplomuar në Universitetin “Sciences Po” dhe u bë gazetar pasi dështoi dy herë t’i bashkohej shkollës prestigjioze “Ecole Nationale D’administration”, e cila ka trajnuar shumicën e presidentëve francezë, duke përfshirë edhe Emmanuel Macron.

Ai është edhe autor i disa librave dhe dhjetra eseve politike dhe historike, të cilat janë botuar që nga mesi i viteve 1990.

“Vetëvrasja franceze: 40 vite që mund Francën”, u shndërrua në një bestseller, sapo u botua në vitin 2014. Ndërsa libri i tij i fundit “Franca s’e ka thënë fjalën e fundit”, thuhet se është shitur mbi 131 mijë kopje në vetëm 12 ditë, sipas gazetës së krahut të djathtë Valeurs Actuelles.

Top Channel