Kompanitë në Bosnjë Hercegovinë dhe Serbi kanë marrë njoftim nga furnizuesit e tyre se ccmimi i energjisë elektrike do të rritet deri në 70 – 135%.
Balkan Green Energy News, një faqe e specializuar në fushën e energjisë, i ka kushtuar një artikull situatës që po zhvillohet në rajon.
Në bursën energjetike të Serbisë, çmimet janë rritur me mbi 80% që nga fillimi i vitit, ndërsa çmimet qëndrojnë në nivelin e 217 eurove MË/h për datën 13 tetor në bursa.
Në Serbi dhe Bosnjë, familjarët e blejnë energjinë me çmim të rregulluar, por shumica e kompanive private e blejnë në tregun e lirë, me kontrata afatshkurtra, duke i ekspozuar përballë çmimeve marramendëse të bursave.
Në Bosnjë, Shoqata e Punonjësve dhe përfaqësuesit e Korporatës Elektro energjetike në vend pas një takimi bilateral midis tyre parashikuan rritje çmimi të energjisë nga 70 – 120% . Shoqata e Punonjësve u shpreh se do të mbështesë në raste emergjence vetëm një rritje një-shifrore të çmimit të energjisë.
I njëjti fenomen po ndodh edhe në Serbi. Disa përfaqësues kompanish në qytetin Kragujevac i dërguan një letër të hapur KESH-it serb, se nëse çmimet do rriten në nivele të frikshme, do detyrohen të shkurtojnë stafin dhe rrezikojnë mbylljen. Dyqanet e mishit, prodhuesit e çimentos, prodhuesit e plastikës të gjithë kanë raportuar të njëjtin problem.
Në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, qeveritë janë zotuar për të mos ngritur çmimet për familjarët, por situata paraqitet ende e paqartë për kompanitë dhe prodhuesit industrialë. Një rritje e çmimit tek ta do të sjellë kosto të shtuara për qytetarët, siç po paralajmërohet në Serbi dhe Bosnjë.
Top Channel