Bie mbështetja për Biden, vetëm 9 muaj qeverisje, amerikanët të pakënaqur

13/10/2021 08:36

Amerikanët po shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj Presidentit Joe Biden, pothuajse nëntë muaj pasi ai mori detyrën.

Në një seri anketimesh të bëra javën e kaluar në nivel kombëtar, 49.2% e të anketuarve nuk e miratojnë punën e Biden, përkundër 44.5% që e aprovojnë atë, thotë kompania e anketimeve FiveThirtyEight. Rezultatet e pesë anketimeve të bëra rishtazi nga RealClearPolitics shprehin pakënaqësi, ndërkohë që rezultatet e tre anketimeve janë në favor të Biden.

Analistët thonë se rënia në perceptimin e punës së presidentit ka qenë veçanërisht e ndjeshme në radhët e votuesve të pavarur, të cilët e ndihmuan atë të fitojë zgjedhjet vitin e kaluar përballë Donald Trump. Në muajin korrik, kur u mbushën gjashtë muajt e parë të presidencës së tij, Biden gëzonte një avantazh mbështetjeje prej 9%, por deri në fund të gushtit, anketimet tregonin se votuesit amerikanë ishin të ndarë në perceptimin ndaj punës së tij.

Që atëherë ai ka humbur edhe më shumë terren dhe analistët politikë japin për këtë shpjegime të ndryshme.Ishte periudha që përkoi me tërheqjen kaotike të ushtrisë amerikane nga Afganistani pas 20 vjet lufte, thonë analistët. Ata gjithashtu përmendin mosmarrëveshjet politike në Uashington mes republikanëve dhe demokratëve për rritjen e tavanit të borxhit, si dhe numrin e infektimeve të reja nga koronavirusi qe u rrit në shkallë vendi për disa muaj, përpara se të fillonte rënia rishtazi.

Top Channel