Biden jep OK-in për F16-tat: Turqia është aleate e NATO-s!

13/10/2021 14:11

Kërkesa e Turqisë për të blerë 40 avionë të rinj F16 nga kompania amerikane Lockheed Martin dhe për të modernizuar me ndihmën e saj avionë luftarakë ekzistues, e ka mbështetjen e administratës amerikane, thonë mediat turke, edhe pse diçka e tillë fillimisht u konsiderua si e vështirë.

Turqia dërgoi në 30 shtator një kërkesë zyrtare për këtë qëllim, thotë Bloomberg, që shton se këtë çështje presidenti Rexhep Tajip Erdogan pritet ta diskutojë në një takim me shefin e Shtëpisë së Bardhë Joe Biden në kuadër të samitit të G20-tës.

Për takimin megjithatë, nuk ka ende një njoftim zyrtar. Lajmi për lëvizjen e fundit që do t`i kushtojë Ankarasë 6 miliardë dollarë u raportua më së pari nga Middle East Eye me seli në Londër, e cila citonte një zyrtar turk të pohonte se nëse flota e avionëve F16 të Turqisë nuk rimëkëmbet, “atëherë në rrezik është jo vetëm siguria e Ankarasë, por edhe ajo e krahut jugor të Nato-s”.

E përditshmja turke Milliyet citoi zëdhënësin e presidencës, Ibrahim Kalin të pohojë se nëse problemet aktuale me SHBA-në zgjidhen, atëherë Turqia do të përfshihet përsëri në programin e F35-save. Megjithatë, nëse kjo nuk ndodh vazhdoi ai, atëherë kërkimi për alternativa të tjera do të vazhdojë.

Top Channel