Udhëheqësit e G20-ës bien dakord të rrisin ndihmën për Afganistanin

12/10/2021 20:01

Krerët e G20-ës ranë dakord gjatë një samiti online që të punojnë së bashku për të shmangur një katastrofë humanitare në Afganistan.

Bashkimi Evropian premtoi një pako ndihme prej miliard euro ndërsa Italia, si nikoqire e samitit, theksoi nevojën që komuniteti ndërkombëtar të mbajë kontakte me talebanët.

Pjesëmarrës në samitin ‘online’ që i zhvilloi punimet të martën (12 tetor) ishin edhe presidenti amerikan, Joe Biden, ai i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe i Indisë, Narendra Modi.

Që kur talibanët morën kontrollin e vendit në muajin gusht, pas prezencës 20-vjeçare ushtarake të prirë nga Shtetet e Bashkuara, kryeministri italian, Mario Draghi kishte bërë presion që debati për zgjidhjen e krizës në këtë vend duhet të zhvillohet përtej grupit të aleatëve të zakonshëm perëndimor.

“Ne tani kemi një vetëdije për këtë emergjencë dhe përgjegjësitë e mëdha që G20 ka ndaj popullit afgan”, tha ai në një konferencë shtypi pas samitit të vendeve më të zhvilluara të botës.

Të shikosh 40 milionë njerëz sesi zhyten në kaos nuk mund dhe nuk duhet të jetë qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare“, u tha gazetarëve kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel.

Presidenti kinez, Xi Jinping dhe ai rus, Vladimir Putin, nuk morën pjesë në samit, por dërguan përfaqësues.

BE-ja theksoi se paratë e saj do të shkojnë për organizatat ndërkombëtare që punojnë në terren dhe jo për qeverinë e përkohshme të talebanëve, e cila nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Megjithatë kryeministri italian tha se “është shumë e vështirë të ndihmosh njerëzit afganë, pa ndonjë lloj përfshirjeje të qeverisë talebane”.

Sipas një deklarate të publikuar nga zyra e Draghit, udhëheqësit e G20 theksuan rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, veçanërisht të drejtave të gruas dhe pakicave nga ana e qeverisë së talebanëve.

Ata gjithashtu trajtuan çështjet e sigurisë dhe kërcënimin nga Shteti Islamik-Khorasan (IS-K), të cilët kanë ndërmarrë një seri sulmesh vdekjeprurëse në Afganistan.

“Afganistani nuk duhet të jetë një strehë e sigurt për terroristët dhe një kërcënim për sigurinë ndërkombëtare,” thuhet në deklaratë.

Udhëheqësit “diskutuan nevojën për të mbajtur në përpjekjet tona të qëndrueshme kundër terrorizmit, përfshirë kundër kërcënimeve nga ISIS-K”, tha një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë.

Top Channel