Paragjykimi antisemitik më i fortë në lindje të BE -së dhe Greqi

12/10/2021 21:04

Paragjykimet antisemitike janë më të fuqishme në vendet anëtare lindore të Bashkimit Evropian si dhe në Greqi, thuhet në një hulumtim të publikuar të martën (12 tetor) për Shoqatën e Hebrenjëve në Evropë (EJA).

Më shumë se një e treta e të anketuarve në Greqi dhe Poloni dhe gati një e treta në Hungari besojnë se hebrenjtë “kurrë nuk do të jenë në gjendje të integrohen plotësisht në shoqëri”, sipas sondazhit.

Besimi se “një rrjet sekret hebre që ndikon në çështjet politike dhe ekonomike në botë” u përkrah nga 58 për qind e të anketuarve në Greqi, 39 për qind në Hungari dhe 34 për qind në Sllovaki.

EJA i quajti rezultatet “shqetësuese”.

“Derisa institucionet evropiane kanë rritur përpjekjet për të luftuar antisemitizmin ende ka shumë punë për të bërë në nivel politik”, tha në një deklaratë kryetari i shoqatës, rabini Menachem Margolin.

Sipas hulumtimit rreth një nga tre të anketuarit në Greqi dhe rreth një në katër në Hungari dhe Poloni thanë se kishin pikëpamje negative për hebrenjtë.

Në Gjermani 11 për qind shprehën atë pikëpamje, në Francë 8 për qind, në Britani të Madhe 3 përqind, dhe në Holandë 2 për qind.

Në përgjithësi, një e katërta e të anketuarve “ranë dakord me deklaratën se politikat e Izraelit i bëjnë ata të kuptojnë pse disa njerëz i urrejnë hebrenjtë”.

Sondazhi u krye në bashkëpunim me institutin e hulumtimeve Ipsos të Francës midis dhjetorit 2019 dhe janarit 2020.

Antisemitizmi është një perceptim i caktuar ndaj hebrenjve, i cili mund të shprehet si urrejtje ndaj tyre dhe konsiderohet të jetë një formë racizmi.

Top Channel