Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit të PS, Taulant Balla ka kërkuar që procesi i vettingut të mos politizohet sepse ka ecur mjaft mirë.
Në deklaratën për mediat, Balla tha se amendamenti kushtetues për zgjatjen e mandatit të Komisionit të përkohshëm të Kualifikimit është procedurë teknike që mund të zgjasë 45-60 ditë.
Balla: Duhet t’ju sqaroj që ekspertët tanë po punojnë intensivisht dhe qoftë Bushka apo kolegë të tjerë edhe me dy institucione ndërkombëtare që kanë këshilluar mbarëvajtjen e reformës në drejtësi për të konkluduar në amendamentin kushtetues për zgjatjen e mandatit të Komisionit të përkohshëm të Kualifikimit. Pra në kuptimin që të arrijmë që të kemi brenda një kohe të shkurtër këtë amendament gati dhe pastaj, të jetë gati për të filluar procedura parlamentare.
Ju e dini mirë që një amendament kushtetues kërkon një kohë 45-60 ditë dhe si i tillë do të kërkojë shumë punë. Unë e konsideroj çështje tepër teknike, tek e cila politika duhet të rrijë larg në kuptimin e rëndësisë që ka procesi i vettingut dhe vlerësimit të deritanishëm se procesi i vettingut ka ecur mirë. Në këtë këndvështrim do të propozoja që askush prej nesh të mos e politizojë.
Nga ana tjetër, i është përgjigjur akuzave të Oerd Bylykbashit për “pazarin” PD-PS duke thënë se nuk ekziston një gjë e tillë dhe janë të gatshëm për të diskutuar çdo çështje që propozohet nga opozita.
Balla: Dua t’ju garantoj se nuk ka asnjë lloj “pazari” sepse kjo është një çështje që e konsideroj të një rëndësie të veçantë kur secili prej deputetëve duhet të marrë rëndësinë që i takon. Për çështjet e tjera do të shprehin gatishmërinë tonë për të diskutuar pa rezerva çdo lloj çështje që vjen nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë.
Kujtojmë se edhe Lulzim Bashës pati një përplasje me Oerd Bylykbashin pasi deputeti bëri një shkrim ku fliste për një pazar që kryeministri Edi Rama po i ofron Partisë Demokratike për reformën në drejtësi.
Reagimi i Bylykbashit në facebook:
“Më zgjat afatin e anëtarëve të vetingut, të të shtoj disa bashki ne hartë.”
Këtë pazar i ofron Rama PD-së. Si tregti kuajsh. Më jep një kalë, të të jap një mushkë. Anglezët e quajnë “horse trading” apo tregti kuajsh. Kjo është kundër interesave parësorë dhe themelore të opozitës.
Reforma më kryesore për opozitën duhet të jetë ndryshimi i Kushtetutës për të vendosur një sistem të ri zgjedhor, sepse ky sistem që miratoi Rama pa konsensusin e opozitës më 30 korrik 2020 është i padrejtë, shkel parimet kushtetuese dhe është toksik për demokracinë.
Bashkë me të, duhet rishikuar ndarja territoriale e bashkive. Demokracia lokale po asfiksohet nga reforma e dështuar e 2014, e bërë keq me qëllim për të fituar zgjedhjet ne tavolinë. Pjesmarrja në zgjedhjet bashkiake të 2019 ku opozita mund të fitonte gjysmën e bashkive, do të rekuperonte mospjesmarjen e opozitës në reformën territoriale. Por ky shans u humb kur u vendos të mos hyej në zgjedhje.
Gjithashtu duhet bërë reformë për të bllokuar, ndalur dhe ndëshkuar ndërhyrjen e shtetit në zgjedhje siç ndodhi më 25 prill 2021. Ky është rreziku më i madh që kanë zgjedhjet, shumë më i madh se bandat, sepse ndërhyrja e një shteti të politizuar në zgjedhje është sistematike, masive dhe kapilare.
Më pas mund të ndreqim dështimet e “sukseshme” të reformës në drejtësi. Sigurisht, dështimet nuk mund të lihen pa ndrequr sepse vuajnë shqiptarët që nuk po marrin më asnjë lloj drejtësie.
Por vota e lirë dhe e drejtë qëndron më lartë se vettingu sepse aty qëndron sovraniteti i popullit.
Sigurisht të gjitha këto duhen dhe mund të bëhen njëkohësisht që mazhoranca të mos luajë me “teorinë e sallamit” duke marrë nga një fetë e nga një fetë. Do të ishte naivitet i pafalshëm. Prandaj 94 votat për ndryshimin e Kushtetutës janë e vetmja garanci për opozitën. Nuk mund ta lëshojë. PD mund të japë votat e saj vetëm nëse sigurohen reformat e mësipërme që garantojnë votën e shqiptarëve. Përndryshe do të përsëriten reforma kushtetuese në drejtësi e 22 korrikut 2016 dhe marveshja e 5 qershorit 2020, kur opozita i dha votat paraprakisht në mirëbesim, shpresoi në garancitë që iu dhanë e më pas PS theu çdo konsensus.
Pazaret që ofron PS nuk kanë asgjë në interes të Opozitës. Nuk mund të qahemi nesër sërish. Sepse kur vret veten, nuk ka kush të merr hakun.
Top Channel