Serbia e shqetësuar: KFOR-i po shton “fshehurazi” trupat në Kosovë!

11/10/2021 15:48

Media serbe përcjellin me shqetësim lajmin se Forcat e KFOR-it në Kosovë janë përforcuar nga Batalioni i Parë Mbretëror i Gurkave, një njësi elitare e Ushtrisë Britanike, e cila siç njoftohet, mbërriti atje për një stërvitje luftarake që përputhej dhe me tensionet e fundit në Jarinjë dhe Bërnjak.

Njësia e përmendur prej shtypit serb shërben si rezervë strategjike, me një gadishmëri që zgjat për një vit, e që nëse është e nevojshme, arrin të zhvendoset shpejt nga baza e saj në Folkestone në Britaninë e Madhe në Kosovë.

Edhe pse ushtrime të ngjashme të KFOR-it mbahen rregullisht, shkruan dhe shtypi në Kosovë, duket se momenti kur ai ndodh, në një kohë kur sapo u kalua kriza në kufi, ka ushqyer shqetësimet e Beogradit. Serbët i liruan dy pikat e bllokuara kufitare pas arritjes së një marrëveshjeje për targat mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, dhe kontrollin e Jarinjës e Bërnjakut e mori KFOR-i.

Top Channel