Nuk ndalet moti i keq në Greqi, stuhi e breshër. Banorët e Evias në panik

11/10/2021 13:59

Moti i keq vazhdon të mbajë të pushtuar disa rajone të Greqisë, ndërsa më të forta pasojat e stuhisë pritet të ndihen në Atikë dhe Evia.

Brenda vetëm 72 orësh, në vendin fqinj kanë rënë 700 milimetra shi, një sasi kjo që është sa dyfishi i reshjeve vjetore në qendër të Athinës. Reshje të dendura priten në vazhdim në Traki, Thesalinë Lindore, Peloponez, Egje e Kretë, ndërsa ekziston dhe mundësia e breshërit. Banorët e ishullit të Evias janë paralajmëruar se vala e motit të keq mund të zgjasë disa ditë.

Përmbytjet e shkaktuara nga stuhia e mbiquajtur “Athina”, dëmtuan një sërë shtëpish, pronarët e të cilëve po kërkojnë ndihmën e shteti për të kapërcyer këtë moment të vështirë. Në disa raste, njerëzit i kanë gjetur në breg të detit orenditë e tyre, që ishin marrë me vete nga uji. Banorët ankohen se zona në veri të ishullit nuk ishte fortifikuar, dhe thonë se pas zjarreve katastrofike të verës atje, nuk u bënë punimet e nevojshme për mbrojtjen nga përmbytjet. Sipas informacioneve, shtëpitë e dëmtuara në Evia, janë më shumë se 200.

Top Channel