“S`kemi para”…Talebanët kërkojnë “ndihmën” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

10/10/2021 13:57

Talebanët kanë nisur ta ndiejnë presionin financiar, ndaj i bënë thirrje Washingtonit të lirojnë rezervat e bllokuara të bankës qendrore të Afganistanit.

Kërkesa e tyre erdhi gjatë një takimi me një delegacion amerikan në Katar, dialogu i parë ballë për ballë në një nivel të lartë që kur grupi islamik mori kontrollin e vendit pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara në fund të gushtit.

Ministri në detyrë i talebanëve, Amir Khan Muttaqi, i cili kryeson delegacionin afgan në bisedimet dy-ditore në kryeqytetin e Katarit, Doha, tha se delegacioni amerikan në seancën hapëse premtoi se do të mbështesë ndihmën humanitare për vendin e tij të goditur nga trazirat dhe se Shtetet e Bashkuara do të ofronin vaksina kundër koronavirusit për popullin afgan, shkruan VOA.

Në një mesazh audio, që talebanët ndanë me gazetarët, ministri Muttaqi tha se ata diskutuan “hapjen e një kapitulli të ri” midis të dy palëve, dikur kundërshtarë gjatë ndërhyrjes gati 20-vjeçare të Shteteve të Bashkuara në Afganistan.

Uashingtoni ka bllokuar miliarda dollarë të pasurisë afgane, kryesisht të depozituara në rezervën federale amerikane, që kur talebanët morën kontrollin e vendit. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar gjithashtu kanë bllokuar ndihmën për zhvillimin, duke përmendur shqetësimet për të drejtat e njeriut nën sundimin taleban.

Top Channel