Rusia ka regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve ditore nga COVID-19, teksa për katër ditë me radhë ky shtet ka shënuar mbi 900 të vdekur nga koronavirusi.

Task-forca kombëtare për koronavirus tha më 9 tetor se 968 persona kanë vdekur nga sëmundja COVID-19 gjatë 24 orëshit paraprak.

Kjo shifër është më e lartë për 30 viktima sesa dita paraprake dhe mbi 100 viktima më shumë nëse krahasohet me të dhënat e muajit shtator.

Task-forca tha po ashtu se janë regjistruar mbi 29,000 infektime të reja.

Rritja e rasteve të vdekjeve dhe infektimeve në shumë shtete po i atribuohet variantit Delta, që është variant më ngjitës. Megjithatë, autoritetet ruse gjithashtu kanë fajësuar edhe nivelin e ulët të vaksinimit kundër koronavirusit.

Sipas të dhënave të fundit nga shërbimi shtetëror i statistikave, Rosstat, mbi 254,000 persona kanë vdekur në tetë muajt e parë të vitit 2021, duke kaluar shifrën prej 163,000 viktimash nga COVID-19, që u regjistruan në vitin 2020.

Për dallim nga këto shifra, task-forca për koronavirus i numëron si viktima vetëm ata pacientë, që shkaktarin kryesor të vdekjes e kanë pasur COVID-19. Rosstat përfshin edhe personat që kanë pasur COVID-19, por që kanë vdekur nga shkaqe tjera, por edhe personave të dyshuar me koronavirus, por që diagnoza për këtë virus ka mbetur e pakonfirmuar.

Top Channel