Zvonimir Boban sulmon drejtuesit e klubeve që propozuan krijimin e Superligës.
Në një intervistë ish-lojtari i Milanit dhe ish-antari i UEFA-s ka folur me tone të ashpra për presidentët e Realit të Madridit, Barcelonës dhe Juventusit tre klubeve iniciatore për krijimin e Superligës Europiane dhe që ende nuk janë tërhequr nga ky projekt teksa vazhdojnë të ëndërrojnë se një ditë do ta bëjnë realitet por në kushte të tjera.
“Ishte një përpjekje e turpshme, e ndaluar nga njerëzit para institucioneve. Pavarësisht kësaj jam krenar për mënyrën se si reagoi presidenti Ceferin dhe UEFA. Ishte një operacion i thjeshtë biznesi i vetëm disa personave, që harruan vlerat, historinë, traditën, identifikimin: aspektë që e karakterizojnë këtë sport.
E gjitha kjo u bë sepse këta miliarderë dëmtojnë llogaritë në klubet e tyre. Të papërgjegjshëm… Ata donin gjithçka për vete, ata donin të fshinin vlerat dhe të amerikanizonin këtë sport”, ka thënë në fjalët e tij Zvone Boban i cili do të mbahet mend gjithmonë nga tifozët e futbollit dhe sidomos fansat e Milanit për ato 10 vite që ishte pjesë e kuqezinjëve nga 1991 në 2001-in duke fituar 4 tituj të Serie A dhe një Champions League.
Top Channel