BE kërkesë Kroacisë e Greqisë: Të hetohen dëbimet e dhunshme të azilkërkuesve në kufijtë e tyre

09/10/2021 15:13

Hulumtimi tetë mujor i gazetarëve të dhjetë mediave nga shtatë vende të Europës që kanë zbuluar një “sistem” të drejtuar nga “njësi speciale anonime”, me uniformë pa shenja dalluese dhe maska që dëbonin me dhunë emigrantët nga kufijtë kroatë dhe grekë, ka sjellë reagime të ashpra në Bruksel.

Pasi raporti është publikuar nga revista gjermane Der Spiegel, BE u ka kërkuar Kroacisë dhe Greqisë të hetojnë dëbimet e paligjshme të azilkërkuesve në kufijtë e tyre.

Sipas hulumtimit sa i përket Greqisë janë paraqitur nga gazetaret e këtyre vendeve, para dy ditësh, të paktën 15 video ku në disa prej tyre marrin pjesë në dëbime oficerët e Marinës Greke, ndërsa roli i tyre është të mbulojnë krimet apo aktet terroriste dhe pengmarrjet.

Ylva Johansson: Unë pres që Greqia të respektojë vlerat tona themelore. Këto publikime duhet të hetohen, tani edhe unë mendoj se Kroacia ka marrë vendim absolutisht të drejtë, e ka marrë seriozisht, do të bëjë hetime dhe do të zbulojë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Dhe pres që Greqia të bëjë të njëjtën gjë .

Pas publikimit të pamjeve dhe raportit të gazetarëve, autoritetet kroate kanë pranuar se tre oficerë policie, janë identifikuar si disa nga personat në video-regjistrimet që tregonin dëbimet e dhunshme kundër emigrantëve të paligjshëm, dhe janë marrë masa ndaj tyre. Ndërsa ministri grek i Emigracionit ka kundërshtuar kategorikisht pjesëmarrjen e forcave greke në këto dëbime në detin Egje, por ka pohuar se edhe Greqia do të hapë një hetim.

Notis Mitarakis: Sa u përket komenteve në media për të supozuarat dëbime të paligjshme i thashë dje zonjës Johanosn se autoritetet greke do të hetojnë mbi këto pohime. Çdo çështje do të hetohet nga drejtësia dhe organet përkatëse.

Komisionerja e Punëve të Brendshme të BE-së, ka deklaruar gjithashtu mbrëmjen e së premtes se Brukseli bashkëpunon me Kroacinë dhe Greqinë dhe se nuk do të hezitojë të përdorë çdo masë shkeljeje, kur është e nevojshme në lidhje me dëbimet të cilat i konsideron të paligjshme.

“I takon autoriteteve kombëtare të hetojnë rastet e raportuara për këto dëbime, por gjithashtu duhet të ketë monitorim të pavarur dhe transparencë më të madhe për atë që po ndodh dhe këtë do të përmbajë edhe pakti i ri i emigracionit, një transparencë dhe veprim më të madh mbi atë që po ndodh në kufijtë e BE -së.–ka deklaruar Ylva Johansson.

Top Channel