Sulm kamikaz brenda një xhamie shiite në Afganistan, 50 viktima dhe mbi 100 persona të plagosur

08/10/2021 15:47

Rreth 50 persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi kamikaz që ndodhi në një xhami në qytetin Kunduz, në Afganistan.

Pamjet e publikuara në mediat sociale tregojnë trupa njerëzish të plagosur dhe njolla gjaku brenda një xhamie, e cila i shërbente komunitetit mysliman shiit.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se mbi 100 persona kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi që ndodhi në qytetin verior të Afganistanit.

Asnjë grup deri më tani nuk e ka marrë përsipër autorësinë e këtij sulmi, edhe pse një grup i ekstremistëve sunitë, duke përfshirë një grup lokal të Shtetit Islamik, kanë vënë në shënjestër komunitetin shiit.

Ata i konsiderojnë myslimanët shiitë si heretikë.

IS-K, një grup që vepron në territorin afgan por që është pjesë e Shtetit Islamik dhe që kundërshton me forcë talebanët, ka realizuar disa sulme të ashpëra kohët e fundit, veçanërisht në lindje të vendit.

Top Channel