“S’ka krizë energjetike, por korrupsioni”/ Basha: OSHEE dhe KESH të zhytura në korrupsion, 10 mln euro për tre tendera

08/10/2021 13:49

Kreu i PD Lulzim Basha në një konferencë për shtyp tha se kryeministri Edi Rama po krijon kushte presioni dhe frike për qytetarë për sa i përket rritjes së çmimeve.

Ai tha se nuk ka një krizë energjetike në vend, por një krizë korrupsioni.

“Rama po krijon kushte presione dhe frike per ata cfarë ai planifikon të bëjë për rritjen e çmimeve të energjisë, si një avokat i klientëve me të cilët po ndan si plaçkë Shqipërinë.

Ai e krahasoi vendin me vendet e tjera, por s’ka krahasim as tani e as 8 vite me parë. Edhe përpjekja për ti qarë hallin kalorësit, vendeve të G7 , për të justifikuar atë çfarë ky ka ndërmend të bëj këtu, është teatër, që të bëjë të duket sikur rritja e çmimeve qenka e pashmangshme. Por kjo nuk është krizë energjitike, por kriza e korrupsionit me shkak dhe me plan”, tha Basha.

Lideri opozitar tha se ndërmarrjet energjitike si OSHEE dhe KESH janë të zhytura në korrupsion.

“E keni parë se si në verë shesin me çmim të ulët nga prodhimet hidrike të shqiptarëve dhe e blejnë 4 fish me shumë me tenderat korruptive më vonë.

OSHEE dhe KESh janë ndërmarrje të zhytura në korrupsion, që nuk i shërbejnë njerëzve. Zhvatën 10 milion euro për tre tendera. Nuk ka thatësirë, por bollëk për Edi Ramën dhe hajdutët e OSHE e KESH prej 10 mln euro të pajustifikuara mes çmimit të tregut dhe se sa e blejnë këta energjinë. Për të njëjtën sasi do paguheshin 29 mln euro, janë paguar 39 mln.

Mjafton raportimet në media për ti çjerrë maskën asaj që po ndodh, ku çmimi i blerjes është shumë më i lartë se ai i bursës. Tani kush i përpin këto para, këto shkojnë në xhepat e zyrtarëve nga më të ultit deri të lart e më lart, të një shteti më i korruptuari në Europë.

Ka 8 vite, që Rama e ka zgjedhur me vetëdije këtë rrugë, dhe këto janë pasojat. Në çdo kohë, qoftë kjo krize apo jo, një qeveri e përgjegjshme duhet të kishte në vëmendje interesin e njerëzve. PPP dhe koncensionet po gërryejnë buxhetin e shtetit. Si shembulli i Bechetit që do i kushtojnë Shqipërisë 120 milion euro, një njeri i vetëm sa dy paketa gjysmake”, tha Basha më tej.

Fjala e plotë

Përshëndetje të dashur përfaqësues të medias, të dashur bashkëqytetarë që na ndiqni përmes tyre.  Sikurse paralajmërova të dielën që shkoi , kur tellalli i të keqes doli të nxiste frikë dhe ankth te qytetarët, tek familjet shqiptare qëllimi i tij i vërtetë ishte  dhe është krijimi i kushteve psikologjike dhe kushteve të presionit te njerëzit për atë që ai planifikon të bëjë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Sot besoj e patë si spërdridhej në të gjitha kuptimet përpara gazetarëve,  jo si një kryeministër, por si një avokat i klientëve të tij me të cilët ndan si plaçkë Shqipërinë dhe resurset e saj.

U përpoq ta krahasojë situatën me vende të tjera por nuk ka asnjë paralelizëm mes asaj që po ndodh përkohësisht në Europë dhe situatës energjitike në Shqipëri tani dhe tash 8 vjet. Edhe përpjekja megallomane me të cilën jemi mësuar tashmë për t’i qarë hallin vendeve të G7-ës, 7 vendeve më të pasura të botës, për të justifikuar atë që ka në plan të bëjë këtu me çmimin e energjisë këtu në një nga vendet më të varfëra të botës dhe më të varfërin e Europës  është një teatër mashtrimesh për të desinformuar qytetarët, pra për t’ju gënjyer ju, nëna dhe baballarë, të rinj dhe të reja  dhe fëmijët tuaj  për të bërë që rritja e çmimeve të duket e pashmangshme.
Në fakt nuk është kështu.
Kjo nuk është krizë energjitike, kjo është krizë korrupsioni dhe keqmenaxhimi me shkak dhe me plan.
I keni bilancet e operatorëve të energjisë, i keni parë si në verë shesin me çmim të ulët  energjinë e prodhuar nga uji, nga burimet hidrike të shqiptarëve dhe blejnë me 3-4 fish çmimin pak muaj më vonë në tendera korruptivë duke shpërdoruar taksat që ua mbledhin kacidhe më kacidhe shqiptarëve.

E kam thënë dhe e përsëris, OSHEE dhe KESH janë ndërmarrje të zhytura në korrupsion dhe klientelizëm. Janë kuvli patronazhistësh dhe militantësh partie, që nuk i shërbejnë interesit të njerëzve, nuk i shërbejnë interesit qytetar.
Mjaftojnë raportimet e fundit në media për t’i çjerrë maskën e asaj që po ndodh, në të paktën tre tendera të Furnizuesit të Tregut të Lirë ku çmimi i blerjes së energjisë është shumë më i lartë sesa çmimi i bursës.
Për të tre këto tendera  diferenca është rreth 10 milionë euro. Siç e thashë edhe dje në Parlament nuk ka thatësirë, por ka një bollëk për Edi Ramën dhe hajdutët e KESH-it dhe OSHEE-së prej 10 milionë euro të pajustifikuara midis çmimit të tregut dhe sa e kane blerë këta.
Për të njëjtën sasi energjie me çmimin e bursës ndërkombëtare do paguheshin 29 milionë euro, janë paguar 39 milionë euro.
Në fakt nuk duheshin bërë fare ato tendera, nuk duhej blerë ajo energji me këto çmime në këtë kohë nëse nuk do të ishte shitur për dy aspra energjia e kaskadës hidrike shqiptare. Këtë skemë do ta shpjegojë në detaje zoti Alfred Rushaj, por pyetja që vjen vetiu është ku shkojnë këto para? Kush i përpin këto para?

Dhe përgjigjja që vjen nga përvoja 8 vjeçare është elementare. Këto shkojnë në xhepat e zyrtarëve të shtetit më të korruptuar në Europë, nga më të ulëtit e lart e më lart e më lart të një shteti i cili sipas raporteve të BE-së dhe SHBA-së konsiderohet sot më i korruptuari në Ballkan, pra për definicion më i korruptuari në Europë. Raporte të cilat tashmë janë publikuar edhe nga media shqiptare.
Ka 8 vite pra, jo sot, as të dielën e kaluar, as këtë verë  kur e shiti energjinë e shqiptarëve me 1/3 apo ¼ e asaj që po e blen sot që  Edi Rama ka zgjedhur  me vetëdije këtë rrugë, dhe këto janë pasojat.
Ju varfëroheni, një grusht pushtetarësh dhe klientësh të tyre pasurohen. Pasurohen në mënyrë marramendëse.
Në çdo kohë, qoftë kjo kohë krize apo jo, një qeveri normale, një qeveri e përgjegjshme do të kishte në qendër të  veprimit politik dhe të vendimeve që merr vetëm interesin e njerëzve interesin publik, por ky pushtet e ka bërë zgjedhjen me kohë dhe zgjedhja është interesi i këtij grushti njerëzish me të cilët ndan paratë e vjedhura të shqiptarëve dhe pushtetin politik.
Sepse siç e dimë  përpara interesit të njerëzve kanë vendosur, kanë bërë fakt  rrugët e florinjta me  20 milionë euro kilometri, ndër më të shtrenjtat në Europë në vendim më të varfër të Europës.
Përpara interesit të njerëzve kanë zgjedhur  dhe vazhdojnë të zgjedhin koncesionet dhe PPP-të, që po gërryejnë buxhetin e shtetit dhe taksat tuaja i çojnë në parajsa fiskale siç kanë nisur edhe publikimet e ‘Letrave të Pandorës’.

Para interesit tuaj e kanë zgjedhur të punësojnë me lekët që iu marrin ju me taksa, gjoba, punësojnë fiktivisht militantë e patronazhistë  në administratën publike që njësoj si sistemi i dikurshëm i operativëve të  sigurimit të shtetit  kërcënojnë, intimidojnë, shantazhojnë, përgjojnë qytetarët për qëllime zgjedhore. Pra këto janë miliona euro që dalin nga xhepat tuaja përmes taksave që i paguani  edhe kur bleni një bukë apo një shishe ujë
Përpara interesit qytetar ka zgjedhur luftën personale me sipërmarrësit, që si në rastin e Bechetti-t, do t’iu kushtojë qytetarëve më shumë se 120 milionë euro.

Pëpara interesit të njerëzve Edi Rama ka zgjedhur luftën personale dhe politike  për interesin e tij politik me sipërmarrësit ku spikat shembulli i Becchetti-t i cili do t’i kushtojë Shqipërisë të paktën 120 milionë euro ose sa 2 paketat apo 2 paketat gjysmake që disbursoi në kohën e karantinës. Një njeri vetëm, sa  2 paketat gjysmakë për luftën personale, për pushtetin e  tij personal.
Përpara interesit të njerëzve ka vendosur  makutërinë dhe babëzinë e tij  dhe  të shpurës së tij, një pjesë i ka sërish në kabinet, një pjesë i ka ulur përkohëshit poshtë, por vazhdon t’i ketë ortakë. Një pjesë janë ortakët e përhershëm që nuk i ndahen paradhomës, dhomës dhe restorantit kryeministror nga mëngjesi në darkë. Vetëm rryshfeti ndaj këtij shteti, nga niveli më i ulët në nivelin më të lartë sipas  të dhënave zyrtare ndërkombëtare i kushton  shqiptarëve  500 milionë euro në vit. Dhe siç e keni parë raporti ndërkombëtar  që e ka cituar këtë, e ka hulumtuar dhe e ka përcaktuar na rendit në botë për ryshfetit të dytët pas Zambias afrikane, pas kësaj vjen Shqipëria e Edi Ramës për ryshfetin.

Dhe kjo shifër pa pretenduar se korrupsioni lindi me këtë qeveri është  3-herë më e lartë sesa ç’ishte në vitin 2013 kur këta morën pushtetin.
Këto dhe shumë plagë të tjera që i ka hapur këtij vendi, nuk janë shifra, as raporte, as denoncime, as thjesht kauza  normale të opozitës. Unë e di, ju e dini, të gjithë e dimë se këto në fakt janë plagë, plagë për njerëzit  e thjeshtë të këtij vendi. Plagë për qytetarët e këtij vendi që rropaten për të nxjerrë bukën e gojës, plagë për njerëzit, familjarët të cilët stërmundohet  për të shkolluar fëmijët ë tyre, plagë për të rinjtë e të rejat që nuk gjejnë dot punë, sepse këto thagma të krijuara nga kjo pakicë e korruptuar, e bëjnë të pamundur një klimë normale biznesi që të paktën të mbajë vendet e punës dhe jo t’i mbyllë ato e jo më të krijojë vende të reja pune siç duhet  të ndodhë në një ekonomi normale.
Prandaj, të dashur qytetarë, jam i bindur se çdokush  që ka dëgjuar shfaqjen e sotme nuk mund të gënjehet, çdokush që posedon zgjuarsinë karakteristike të shqiptarit nuk mund të gënjehet dhe mos u gënjeni. Kjo nuk është krizë energjitike, kjo është një kriza e korrupsionit, e babëzisë dhe e keqmenaxhimit të kësaj qeverie.

Ndaj detyra e çdo qytetari duke qenë se ky është problem i të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm i një partie politike është të mos e lejoni të gënjejë e të luajë me taksat tuaja, me bukën e fëmijëve tuaj, sepse me rritjen që paralajmëron Edi Rama do ta përdorë  këtë , këtë fatkeqësi njësoj si fatkeqësitë e tjera situatë për të mbushur gropat që ai ka hapur në buxhet me koncensionet, me PPP-të, tenderat korruptivë për të cilat falë marrëzisë së kësaj pakice, mbajmë vendin e parë në Europë duke lënë mbrapa çdo vend tjetër.

Sigurisht siç e ka nisur do të vazhdojë e dp të  përpiqet ta bitisë duke fshehur të vërtetën dhe duke relativizuar të keqen sepse ai që është përgjegjësi i vetëm i gjendjes ekonomike të Shqipërisë, i situatës ku ndodhen familjet shqiptare , sipërmarrësit shqiptarë, pensionistët shqiptarë, vogëlushët e këtij vendi, të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi. Ai pra që e ka sjellë këtu punën me vendimet e tij të gabuara dhe kriminale me të cilat e ka çuar borxhin publik formalisht  në 80% të prodhimit të brendshëm bruto, pa përfshirë PPP-të, që e çojnë në 100%, ky që u premtoi shqiptareve se do u ulte borxhin, ai të dashur qytetarë, të dashur miq  kërkon të merremi me batuta, me gërr-vërre me gjithçka  të mundshme vetëm e vetëm për ta hequr vëmendjen nga fakti se, falë tij dhe vendimeve të tij, sot e tash 8 vjet , buka qe blini është më e shtrenjtë,  fatura e  energjisë dhe e ujit që paguani është më e lartë, taksat dhe ryshfetet janë mëtë lartat në 30 vite, energjia dhe karburanti më i larti në rajon dhe ndër më të lartit në Europë dhe kriza  ka mbërthyer për fyti çdo shqiptar dhe çdo familje shqiptare.

Por nuk funksionon kështu. Në një vend normal politikanët marrin përgjegjësi.
Dhe nëse ai kreu masakrën zgjedhore me iluzionin se kështu do të mund t’i ikte përgjegjësisë politike,  për t’u sjellë sikur nuk ka gisht në këtë që po ndodh, është detyrë e jona, por në fakt  e të gjithëve ne të qëndrojmë përballë kësaj fatkeqësie kombëtare që quhet qeveria e Edi Ramës e cila refuzon të dëgjojë që refuzon të dëgjojë thirrjet dhe vuajtjet qytetarëve të zhytur në varfëri dhe që refuzon planin tonë racional, sepse ata, ai ka planin e tij për të vjedhur dhe për të varfëruar më shumë Shqipërinë dhe Shqiptarët

Ne jemi në Parlament për këtë arsye. Jemi në Parlament për këtë betejë  dhe betejat e tjera në emrin tuaj dhe betejën e të gjithë betejave, për t’i rikthyer vendit legjitimitetin dhe demokracinë një orë e më parë.

Top Channel