Spanja i bën “karshillëk” Kosovës në samit: Shmanget elementi acarues për Madridin!

06/10/2021 12:02

Spanja e theksoi edhe njëherë me të madhe kundërshtinë e saj ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës.

E përditshmja spanjolle El Nacional, raportoi se kryeministri Pedro Sanchez, po merr pjesë në samitin e Bërdos, por vendi i tij u garantua më parë se në takime nuk do të kishte simbole shtetërore duke qenë se Madridi nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Në samitin e 2018-tës, ish presidenti spanjoll, Mariano Rajoy refuzoi të merrte pjesë pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës.

Edhe në takimin e mëpasshëm të zhvilluar me lidhje video për shkak të pandemisë, simbolet që identifikojnë Kosovën si shtet u shmangën.

Bashkë me Spanjën, edhe katër shtete tjera të Bashkimit Europian nuk e njohin shtetësinë e Kosovës: Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia. Perspektiva e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është në fokusin e ditës së dytë të takimit, ku pritet të diskutohen megjithatë edhe një sërë temash të tjera me interes ndërkombëtar si: marrëdhënia me Kinën, situata e pasigurt në Afganistan, marrëdhëniet e trazuara me SHBA-në për shkak të mosmarrëveshjeve me Francën për aleancën AUKUS në Paqësorin Jugor dhe rritja e çmimeve të gazit.

Top Channel