Në Bërdo të Sllovenisë nisi nën hijen e paqartësive samiti i shumëdiskutuar i BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Përpara celjes së takimit, presidentja e KE-së Ursula von der Leyen, deklaroi se e konsideron të rëndësishme që blloku t`ia bëjë të qartë vendeve të rajonit se kujdeset për to dhe se është partneri i tyre i preferuar. Në rrjedhën e viteve është parë, tha Von der Leyen, se sa kanë përfituar vendet që janë bërë pjesë e BE-së, ndërsa theksoi se këtë gjë e dëshiron edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Von der Leyen: Mendoj se Bashkimi Europian përfiton nga procesi i zgjerimit dhe kjo është pjesa më e rëndësishme. E ardhmja është Europa.
Sipas një deklarate që ka parë Radio Evropa e Lirë, e cila pritet të miratohet sot, BE-ja e mbështet perspektivën europiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe “riafirmon përkushtimin e tij për procesin e zgjerimit” të bllokut evropian. Por procesi i zgjerimit do të bazohet në reformat “e besueshme nga partnerët, kushtëzimi i drejtë dhe rigoroz dhe bazuar në parimet e meritave individuale”. Vendet anëtare vënë gjithashtu në dukje
“Rëndësinë që BE të mund të ruajë dhe thellojë zhvillimin e vet, duke siguruar aftësinë e vet, për të integruar anëtarë të rinj”. Një përcaktim që dëshmon dilemat gjithnjë e më të mëdha në gjirin e vetë BE-së për procesin, por që duket të ketë qenë formula e kompromisit mes vendeve anëtare për të mos e lënë jashtë tekstit, termin “zgjerim”, shprehet VOA. Rrugëtimi i rajonit ballkanik drejt integrimit po bëhet gjithnjë e më i vështirë dhe me pengesa të papritura. Të 6 vendet janë në fazë të ndryshme me diferenca të thella mes tyre.
Nga njëra anë Serbia dhe Mali i zi prej kohësh kanë nisur bisedimet. Kosova dhe Bosnja nga ana tjetër janë ende shumë larg. Ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbeten në pritje të një date për organizimin e konferencës së parë ndërqeveritare, e cila do të shënonte dhe fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim.
Top Channel