“Zbutet” Europa: PE, bashkëpunimi BE-SHBA i nevojshëm në Ballkan!

05/10/2021 17:35

 Në Parlamentin Europian u diskutua raporti rreth marrëdhënieve mes BE-së dhe SHBA-së.

Ndonëse ka pasur shumë thirrje që blloku të ndërtojë kapacitetet e veta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, në mënyrë që të jetë më pak i varur nga Shtetet e Bashkuara, sërish, në shumë fusha bashkëpunimi mbetet i domosdoshëm, e këtu përfshihet dhe nevoja për angazhim të përbashkët në rajonin e Ballkanit Perendimor.

Në raport thuhet se “BE-ja duhet të bashkëpunoj më shumë me Shtetet e Bashkuara dhe të rindërtojë partneritetin strategjik lidhur me vendet e partneritetit lindor dhe Ballkanin Perëndimor në mënyrë që atje të ndërtohen shoqëritë demokratike dhe shumëetnike, rezistuese ndaj forcave autoritare lokale dhe të huaja”. Po ashtu theksohet se “Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të fqinjësisë lindore është çështje e sigurisë dhe paqës për tërë rajonin”.

Në të njëjtin tekst të raportit përshëndetet edhe rritja e koordinimit mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit në BE. Kërkohet sakaq që të ketë më shumë institucionalizim të bashkëpunimit mes Këshillit të BE-së dhe Departamentit të Shtetit në SHBA dhe bëhet thirrje për një rol të fuqishëm udhëheqës të BE-së për të ndalur nismat që çojnë drejt ndryshimit të kufijve dhe nismave të ngjashme të cilat “do të thellonin ndasitë etnike”. Në fund, nënvizohet me të madhe se BE-ja ka rolin kyç në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Top Channel