Mafia i vrau të ëmën/ Nis “hakmarrjen” aspirante për bashkinë e Napolit

05/10/2021 13:52

11 qershorin e vitit 1997, Alessandra Clemente, asokohe 10 vjeçe, dëgjoi 41 të shtëna nga dritarja e hapur e shtëpisë së saj në Napoli, teksa priste të ëmën të vinte për drekë.

Kur të shtënat ndaluan, vajza vrapoi jashtë vetëm që ta gjente nënën e saj, Sylvia të shtrirë në tokë në një pellg gjaku. 39-vjecarja nuk kishte qenë shenjestra e vrasësve, por viktimë e pafajshme e një plumbi qorr.

Pavarësisht kësaj, emri që qëndronte pas vdekjes së saj shënjoi të gjithë pjesën tjetër të jetës së Clementes: Camorra, mafia napolitane. 24 vjet më vonë, Alessandra garon për bashkinë e Napolit. Fushata e vet elektorale përfshin të afërm të viktimave të Mafias dhe nuk ka tubim ku të mos kujtojë vdekjen e të ëmës së saj. “Vëllai im i vogël Francesco e kishte kapur nënën nga dora dhe nuk e lëshonte, edhe kur erdhi policia. Isha e shkatërruar, por e dija se duhet të kujdesesha për të. Vendosa të kandidoj për kryetare bashkie që të mos ketë më fëmijë të tjerë si vëllai im atëherë, të cilëve t`iu duhet të kalojnë nëpër të tilla tragjedi”, thotë kandidatja.

Alessandra ka gjetur mënyrën e shpagimit, dhe ajo është t`i japë fund rrethit vicioz të dhunës duke përdorur pikërisht nënat dhe gratë e gansterëve. “U rrita me idenë se dikush tjetër duhet të vdiste në vendin e sime mëje, por me kalimin e kohës  e kuptova se ndryshimi nuk lind nga urrejtja, por nga dashuria. Dhe mendova se nëse duhet t’i ndryshoj vërtet gjërat, duhet ta nis nga nënat e kamorristëve. Ato duhet të bëheshin aleatët e mia, nëse donim të kishim sadopak sukses. Nënat dhe në përgjithësi gratë brenda Camorrës kanë një pushtet thuajse të strukturuar, kanë shumë influencë”, rrëfen ajo.

Në krah të Alessandrës qëndron Antonio, i biri i një bosi të Camorrës,  Rosario Piccirillo i cili kandidon për këshillin bashkiak dhe është distancuar krejtësisht nga bëmat e të atit.

 

 

Top Channel