“Do vrasin biznesmenë”, kapet azerbajxhanasi me armën me silenciator!

05/10/2021 19:35

Izraeli ka dhënë alarmin se Irani po planifikon sipas shtetit hebre “një akt terrorist” kundër biznesmenëve izraelitë që jetojnë në Qipro.

Akuza erdhi nga zyra e kryeministrit të shtetit hebre menjëherë pas arrestimit të një personi në ishull, i cili dyshohet se ishte rekrutuar për të kryer sulmet. Republika islamike që është vend armik i Izraelit, e hodhi menjëherë poshtë kete pretendim si “të pabazë”. Mediat lokale raportojnë se i dyshuari është një azer i moshës 38 apo 39 vjeç.

Ai mbante një pasaportë ruse dhe u prangos pasi kaloi në anën greke të ishullit nga Qiproja veriore. Me vete iu gjet një arme me silenciator. Sipas raportimeve ai kishte mbërritur nga Rusia rreth tre javë më parë dhe ishte nën mbikëqyrjen e policisë. Mediat izraelite dhe ato qipriote kanë shkruar se biznesmeni izraelit, Teddy Sagi ishte një nga shënjestrat e sulmit.

Por, si zyra e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett si dhe kompania Sagi mohuan se ky biznesmen mund të ishte një viktimë e mundshme. “Ky është një incident terrorist i dështuar iranian”, tha Grupi Sagi në një deklaratë. “Objektivi për vrasjen nuk është Teddy Sagi por izraelitët në Qipro”, shtoi deklarata. Disa raporte të mediave izraelite raportuan se komploti mund të ndërlidhet me mosmarrëveshjet e biznesit që përfshijnë kompaninë Sagi, pjesët e së cilës përfshijnë lojërat e fatit në internet dhe pasuritë e paluajtshme.

Top Channel