Bien Instagram, Facebook, Whatsapp/ Defekti global. Asnjë nga aplikacionet nuk funksionoi

05/10/2021 00:12

Facebook, Instagram, WhatsApp pësuan një defekt pasditen e së hënës duke ndaluar së funksionuari. Sipas faqes së njohur DownDetector, problemet filluan rreth orës 16:44 duke prekur përdoruesit në të gjithë vendet e botës. Të treja platformat kanë mbi 3 miliardë përdorues aktivë.

Të treja kompanitë zotërohen nga Facebook dhe veprojnë mbi të njëjtën platformë. Përdoruesit e rrjeteve sociale që donin të aksesoheshin në to kanë marrë mesazhin: “Diçka shkoi keq. Jemi duke punuar për të rregulluar problemin sa më shpejt të jetë e mundur.”

Kompania është shpesh e fshehtë për shkaqet problemeve të kësaj natyre dhe nuk ka tendencë t’i shpjegojë ato edhe pasi janë rregulluar. Në vitin 2019, për shembull, Facebook pësoi një nga rëniet më të mëdha të sistemit në vite dhe më pas u justifikua duke thënë se kishte “shkaktuar një problem” gjatë “operacioneve të mirëmbajtjes rutinë”.

Ndërkohë Facebook po përballet edhe me një krizë tjetër pasi një ish-punonjëse e akuzoi se ka promovuar gjuhën e urrejtjes dhe keqinformimit në këmbim të fitimit.

Francis Hogen tha se platforma “tradhtoi demokracinë” dhe se ajo kishte prova në formën e dokumenteve të brendshme dhe studimeve që qarkullonin brenda kompanisë, të cilat ajo i dorëzoi në Wall Street Journal. Ajo thotë se kompania e Mark Zuckerberg e dinte mirë që urrejtja, dhuna dhe lajmet e rreme po lulëzonin në platformat e saj, por nuk po bënte asgjë për t’i ndaluar ato, pasi kjo do të zvogëlonte kohën që përdoruesi shpenzon për “produktet” e tij.

Top Channel