Ashtu sikurse u paralajmërua ka nisur zhbllokimi i dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën me Serbinë.

Pjesëtarë të KFOR-it dhe automjete ndodhen aty për të mbikëqyrur procesin. Sikurse shihet nga pamjet serbët lokalë kanë ndezur kamionët dhe pritet të largohen bashkë me to, ndërsa shihet teksa tërhiqen edhe njësitë speciale të policisë së Kosovës gjithashtu.

Kufiri Kosovë-Serbi u bllokua më 20 shtator. Qeveria e Kosovës mori vendimin që shoferët nga Serbia kur të hyjnë në Kosovë duhet të ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës me targa të reja.

Dy pikat kufitare në veri të Kosovës, Bërnjak dhe Jarinjë ku popullsia është shumicë serbe u bllokuan nga banorët lokalë që e kundërshtonin vendimin për reciprocitet. Pas tensioneve të krijuara u vendosën njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Marrëveshja e arritur në 30 shtator parashikon që nga 4 tetori të nisë regjimi i letrave ngjitëse në vend të targave, dhe kjo vlen për të dyja palët. Sakaq KFOR do të vazhdojë të qëndrojë në Jarinjë dhe Bërnjak edhe për dy javë të tjera në mënyrë që të garantojë sigurinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA