“Serbia kërkon aneksimin e veriut të Kosovës? Po ndjekin doktrinën ruse”

01/10/2021 15:45

Tensionet në kufirin e Kosovës me Serbinë u përshkallëzuan shumë shpejt, duke kërcënuar një spirale që mund të rindizte konflikte të vjetra në Ballkan.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç urdhëroi ushtrinë dhe njësitë policore t`i afroheshin kufirit, me pretekstin e mbrojtjes së serbëve lokalë që protestonin reciprocitetin e targave. Gatishmëria e Beogradit për të angazhuar menjëherë forcat ushtarake, ndoshta fsheh qëllime të tjera sipas Margarita Assenova të Eurasia Daily Monitor, e cila mendon se fantazma e ndryshimit të kufijve, nuk është larguar krejtësisht, të paktën jo nga mendja e serbëve.

Analistja heq paralele mes një aneksimi të dëshiruar të veriut të Kosovës nga Serbia me marrjen që Rusia i bëri Krimesë në 2014. Ngjashmëria, thotë ajo, përforcohet nga përqafimi që Beogradi i ka bërë idesë së një “bote serbe” në Ballkan, një kopje e doktrinës së Vladimir Putin për “një botë ruse”.

Ministri i Brendshëm serb, Aleksandër Vulin, vazhdon shkrimi, ka nisur  të promovojë në mënyrë aktive konceptin e “një bote serbe”, me pretendimin se është në rrezik vetë ekzistenca e serbëve. Ndërsa, në një kujtesë ogurzezë të së shkuarës së dhunshme të rajonit, Vuçiç, vazhdon ekspertja, është betuar vazhdimisht të luftojë për serbët e Kosovës, duke premtuar “se nuk do të mposhten sërish”, shprehja e përdorur dikur nga Sllobodan Millosheviç, si justifikim për heqjen e autonomisë së Kosovës.

Top Channel