NATO: Do të hyjë KFOR-i, do ta kryejmë vetë zbatimin efektiv të marrëveshjes 

01/10/2021 11:18

NATO-ja e përshëndeti arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në kufi dhe përmes zëdhënëses, Oana Lungescu sqaroi se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, “do të luajë një rol themelor, për të siguruar zbatimin efektiv” të kësja ujdie.

Serbët i kanë bllokuar që prej 20 shtatorit pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak. Lëvizja e tyre erdhi pasi qeveria e Kosovës vendosi që target e automjeteve që hyjnë nga Serbia të zëvëndësohen me targa të përkohëshme kur lëvizin brenda territorit të Kosovës. Masa të ngjashme, Serbia i aplikonte prej vitesh mbi mjetet me targa kosovare.

Për të mbikëqyrur procesin, Prishtina dërgoi në veri edhe njësitë speciale policore.Me marrëveshjen e arritur të enjten në Bruksel, serbët do t’i heqin bllokadat, njësitë speciale të policisë do të tërhiqen nga Jarinja dhe Bërnjaku dhe atje do të vendoset KFOR-i, ndërsa në targa e të dyja palëve do të vendosen përkohësisht letra ngjitëse çka mund të shihet si një fitore për Prishtinën.

Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë u ndërmjetësua nga Bashkimi Evropian.“NATO-ja vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është rruga e vetme drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme politike për rajonin dhe është kyçe për stabilitetin e të gjithë rajonit”, tha Lungescu, e cila shtoi se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të presë të premten në takim të dërguarin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak për të diskutuar për situatën.

Top Channel