Maqedoni e Veriut: 78 për qind e të infektuarve, të pavaksinuar

01/10/2021 17:22

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni të Veriut, ka publikuar një analizë mbi gjendjen e të infektuarve me koronavirus, me çka ka konstatuar se 78 për qind e rasteve janë persona të pavaksinuar. Analiza i referohet periudhës prej 6 gushtit deri më 30 shtator.

Gjatë kësaj periudhe me koronavirus janë infektuar 35,531 persona dhe prej tyre 23 për qind apo 8,233 persona kanë marrë nga dy doza të vaksinave.

Sipas të dhënave, 27,298 persona, apo 77 për qind e atyre që kanë rezultuar pozitivë nuk ishin të vaksinuar.

Edhe nga të shtruarit në spitale, 79 për qind ishin të pavaksinuar, ndërsa 21 për qind e të gjithë atyre që u pranuan në spital gjatë kësaj periudhe, ishin plotësisht të vaksinuar.

Sa i përket vdekshmërisë, në periudhën nga 6 gusht deri më 30 shtator në Maqedoninë e Veriut vdiqën 1,162 persona me këtë virus. Prej tyre, 987 pacientë nuk ishin të vaksinuar dhe 15 për qind, apo 175 persona ishin të vaksinuar me nga dy doza.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se të vaksinuarit që vdiqën, kishin disa sëmundje kronike.

Krahasuar me analizën e publikuar javën e kaluar, numri i të infektuarve, të shtruarve dhe të vdekurve të vaksinuar është rritur për 1 për qind. Numri i rasteve aktive me COVID-19 është rreth 12 mijë.

Institucionet shëndetësore i bëjnë thirrje popullatës që të vaksinohet si mënyrë e vetme për mbrojtje nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Në Maqedoninë e Veriut deri më tani është vaksinuar rreth 35 për qind e popullatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA