Përparim, por jo marrëveshje: Serbët ende asnjë dritë jeshile draftit!

30/09/2021 12:33

Sot vazhdojnë në Bruksel bisedimet e nisura një ditë më parë mes Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e situatës në veri, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian.

Të mërkurën, negociatorët e të dyja vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, zhvilluan bisedime të ndara me të dërguarin e BE-së Miroslav Lajçak, për rrugëdaljen nga situata e krijuar pas vendimit të Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave me Serbinë. Pjesë e diskutimeve u bë si përfundim edhe Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Europën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se është hartuar një projekt i marrëveshjes, pjesë të së cilës ende nuk janë miratuar nga Beogradi, në funksion të shtensionimit të situatës në veri. Ai tha se, sipas projekt marrëveshjes, nga e hëna Kosova dhe Serbia do të përdorin fletë ngjitëse në targat e një tjetrës në vend të ndërrimit të tyre, ndërsa “do të formohet një grup pune për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për lëvizjen e lirë të makinave brenda gjashtë muajsh.

Sipas Bislimi, të shtunën forcat e KFOR-it do të zëvendësojnë njësitë e posaçme të policisë së Kosovës në vendkalimet kufitare në veri dhe por në të njëjtën kohë duhet të hiqen barrikadat e vendosura nga protestuesit serbë. Kjo është praktikisht, ajo çfarë kishte ofruar pala kosovare she serbët e kishin refuzuar. Delegacioni serb nuk foli për marrëveshjen por tha se një “gjë e tillë ende nuk është arritur”, ndërsa zyrtarë të BE-së thanë se bisedimet nuk kanë përfunduar dhe “po punohet në gjetjen e një zgjidhjeje për krizën.

Top Channel