Masakër e paprecedent në burg, mbi 100 të vrarë. Autoritetet “dorëzohen”

30/09/2021 12:20

Masakra e tmerrshme në një burg të vendit detyroi presidentin e  Ekuadorit, Guillermo Lasso, të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë sistemin e burgjeve.

Të paktën 116 persona humbën jetën e 80 të tjerë u plagosën gjatë asaj që zyrtarët vendas e cilësuan si “një ngjarje të paprecedent”. Ata fajësojnë bandat e lidhura me kartele ndërkombëtare të drogës e thonë se të paktën pesë të burgosurve iu pre koka në përleshjet në Guayaquil.

Laso u shpreh se ajo që ka ndodhur është “e keqe dhe e dhimbshme”, dhe shtoi se nuk mund të garantojë se autoritetet kanë nën kontroll situatën. “Është për keqardhje që burgjet janë duke u kthyer në territore për përleshje mes bandave kriminale”, tha presidenti  dhe shtoi se do të veprojë me “qëndrueshmëri absolute”, për të fituar kontrollin e burgut dhe të parandalojë përhapjen e dhunës edhe në burgje tjera.

Të përfshirë nga paniku, të afërmit e të dënuarve prisnin jashtë dyerve të burgut ndonjë lajm për fatin e njerëzve të tyre.

“Ne duam drejtësi, ti zoti president hajde këtu dhe na trego fytyrën të paktën. Bëje për të gjitha nënat që kanë vuajtur për fëmijët e tyre. As informacion nuk na japin, kam djalin atje brenda”.

Ledy Zuniga, ish-presidente e Këshillit Kombëtar të Ekuadorit për Rehabilitim, tha se në te gjithe historinë e këtij vendi  nuk është raportuar asnjëherë një incident i një shkalle te tillë nëpër burgje.

Top Channel