Kurti: Serbia kërkon të nxisë luftë, Vuçiçit i “ka mbetur ora” në vitet 1990

30/09/2021 12:11

“Nuk është Kosova arsyeja e problemeve aktuale, por Serbia dhe president ii saj Aleksandar Vuçiç”, deklaroi kryeministri Albin Kurti, një intervistë për televizonin kroat HRT ku tha se Vuçiç ende mendon dhe flet si të jetë në vitet 1990.

“Ne ende kemi probleme me Serbinë. Kosova nuk është problemi këtu, është Serbia, veçanërisht presidenti i atij vendi, që mendon e flet si në vitet 90-ta të shekullit të kaluar. Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak janë në krizë jo për shkak të serbëve, por për shkak të presidentit të Serbisë”, ka thënë Kurti.

Ai shpjegoi se mbi 11 mijë automjete kanë marrë targat e përkohshme të Kosovës që kur është vendosur reciprociteti me targa ndaj Serbisë dhjetë ditë më parë. Kryeministri u shpreh se qytetarët serbë që kanë vendosur në barrikada në Jarinjë e Bërnjak paguhen nga Beogradi. “Disa prej tyre gjithashtu kanë marrë pjesë dhe në tentativën për grusht shteti në Malin e Zi pesë vjet më parë”, theksoi ai. Kurti e bëri të qartë se nuk mund të mendojë dot ndryshe, përveçse që Vuçiç synon të nxisë një konflikt ndërkombëtar.

“Ministri serb i mbrojtjes shfaqet në kufi së bashku me ambasadorin rus në Serbi dhe me atasheun e Mbrojtjes së Rusisë në Beograd dhe në të njëjtën kohë, i vihet zjarri një ndërtese në Zubin Potok. Avionët MIg-29 sillen rreth Kosovës, po ashtu helikopterë e automjete të blinduara e prodhuara në Rusi i afrohen kufirit. Ata erdhën me një arsenal ushtarak në kufijtë tanë. Forca tona speciale janë atje, si në Bërnjak ashtu edhe Jarinjë. Mos harroni se në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, ata i dogjën këto dy pika kufitare”, u shpreh ai.

Top Channel