Kriza e karburanteve, apeli i qeverisë angleze: Mos përdorni fjalën “panik”

30/09/2021 13:30

Qeveria britanike këshilloi zyrtarët të mos përdorin fjalën “panik” apo “blerje nga paniku” kur diskutohet për problemet e furnizimit me karburant.

BBC thotë se këshilltarët e ekzekutivit kërkuan gjithashtu të mos përdoret një gjuhë që mund të perceptohet si moralisht paragjykuese për njerëzit që nxitojnë të blejnë karburant.

Zyrtarë të partisë së Gjelbërt i cilësuan këto rekomandime si “jologjike”. Dy ditë më parë, Londra zyrtare angazhoi ushtrinë si pjesë të përpjekjeve për të zgjidhur krizën e furnizimit me karburante. Britanikët u përfshinë nga një panik i blerjes së shpejt, për shkak të informacioneve për mungesën e shoferëve të cisternave që furnizojnë pikat e karburanteve.

Shumë pika në mbarë vendin mbeten pa furnizime për shkak të blerjes nga paniku. Njerëzit mendonin se nuk do të ketë furnizime të karburanteve prej pamundësisë së transportit, pavarësisht faktit që rafineritë kishin sasi të mjaftueshme. Britanisë së Madhe i mungojnë më shumë se 100,000 shoferë kamionësh e cisternash, duke i shkaktuar probleme disa industrive, përfshirë furnizuesit e ushqimit dhe supermarketet.

Top Channel