Kriza e karburantit/ Shoferët evropianë refuzojnë vizat 3-mujore, që ‘britanikët të organizohen për festat’ (fotot)

29/09/2021 16:56

Plani i kryeministrit britanik Boris Johnson për viza të shpejta tre-mujore pune mes krizës së karburantit dhe shoferëve në vend, nuk po rezulton një sukses me shoferët evropianë, shkruante sot e përditshmja vendase “Independent”.

Teksa radhët e gjata dhe kriza e furnizimit të pikave me karburant vijon në Britani, qeveria njoftoi dje lëshimin e vizave të përkohshme për 5,000 shoferë të huaj kamioni për të zbutuar problemin.

Por ironikisht vizat zgjasin vetëm deri në 24 dhjetor, ditën para festës së Krishtlindjeve, dhe shoferi polak Jakub Pajka, tha se nuk janë me leverdi, megjithse ka punuar më parë në Britani.

Duke folur për “Independent” në timonin e kamionit të tij në Varshavë, ai tha: “Jo, falemnderit zoti kryeministër, nuk do të përfitoj nga mundësia juaj. Asnjë shofer nuk dëshiron të vendoset aty për vetëm tre muaj, vetëm që ju të përgatiteni për festat”.

As shpërblimet shtesë të ofruara nuk bënin me interes ndërrimin e shtetit, në një kohë kur emigrantët tentojnë kalime ilegale të ngushticës me Francën, duke hipur ilegalisht në kamionët e furnizimit.

“Paratë që mund të fitosh në Britani nuk kompensojnë gjërat e rrezikshme që ndodhin aty”, tha ai duke iu referuar përleshjeve të emigrantëve në portet e Calais e Dunkirk.

Ndërsa Imran Mustafa ka ardhur në Barcelona nga Pakistani tetë vjet më parë, dhe prej tre vjetësh punon si shofer kamioni. Ai tha se oferta e vizës është shumë e shkurtër dhe nuk ka kohë të mësojë rrjetin rrugor të Britanisë.

“Është një vizë e përkohshme për një periudhë shumë të shkurtër. Tashmë njerëzit nuk kanë para për të udhëtuar. Askush nuk dëshiron të udhëtojë vetëm për tre-muaj. Nuk ka kohë të njohësh rrjetin e rrugëve, kjo do të krijonte probleme dhe aksidente”, tha ai.

FOTO GALERI
2/7
Ne radhet e karburantit ne Britani jane rregistruar shpesh perleshje mes njerezve ne pritje

Top Channel