Gjeneralët “rrëzojnë” Bidenin: E këshilluam ndryshe për Afganistanin! 

29/09/2021 11:56

Gjeneralët kryesorë amerikane i thanë ligjvënësve se kishin rekomanduar mbajtjen e 2.500 trupave në terren në Afganistan, duke përmbysur kështu pretendimet e mëhershme të presidentit Joe Biden, i cili deklaroi se askush nuk e kishte këshilluar të mos i tërhiqte të gjitha forcat amerikane nga vendi. 

Përpara komitetit të forcave të armatosura të senatit, gjenerali Frank McKenzie, kreu i Komandës qendrore amerikane dhe gjenerali Mark Milley, shefi i Shtatmadhorisë amerikane pohuan që të dy se e kishin parashikuar herët që një tërheqje e plotë me shumë gjasë do të sillte kolapsin e qeverisë afgane të mbështetur nga perëndimi.  

“Vjeshtën e 202-tës, analiza ime ishte se një largim i nxituar pa u përmbushur kushte specifike dhe të domosdoshme, rrezikonte të sillte humbje të qenësishme të progresit të shënuar në Afganistan, të dëmtonte besueshmërinë e SHBA-së në mbarë botën e të shkaktonte një shembje të forcave afgane të sigurisë si dhe të ekzekutivit vendas, çka do të rezultonte ose në marrjen e pushtetit nga talebanët, ose në luftë civile. Kjo ishte përpara një viti. Ai vlerësim i imi mbeti i pandryshuar”.  

Ndryshe nga vlerësimet e inteligjencës amerikane, qeveria afgane dhe ushtria e saj e stërvitur nga SHBA u rrëzuan në mes të gushtit, duke lejuar talebanët, të cilët kishin sunduar vendin nga 1996 deri në 2001, të merrnin Kabulin në atë që gjenerali Milley e përshkroi si operacioni i disa qindra talebanëve me motoçikleta, pa shkrepur asnjë armë. Kjo shkaktoi një përpjekje të furishme të Shteteve të Bashkuara për të evakuuar civilët amerikanë, aleatët afganë dhe të tjerë nga aeroporti i Kabulit.

Top Channel