Karteli i drogës në Ballkan/ Arrestohen 61 persona dhe kapet 2.6 tonë kokainë

28/09/2021 15:38

Agjencitë për zbatimin e ligjit nga tetë vende europiane shkatërruan një kartel droge në Ballkan e kanë vënë nën akuzë 61 persona. Më shume se 2.6 tonë kokainë u konfiskuan gjatë operacionit blic.

Europol deklaroi se ky kartel kishte “mbytur Europën me kokainë”. Transporti i drogës për në kontinentin e vjetër bëhej nga Amerika e Jugut përmes Spanjës. Në operacionin ndërkombëtar u angazhuan agjenci ligj zbatuese nga Serbia, Bosnje dhe Hercegovina, Sllovenia, Kroacia, Spanja, Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe Kolumbia.

Organizata kriminale përbëhej kryesisht nga serbë, kroatë, malazezë dhe sllovenë si dhe kishte një rrjet të shtrirë në disa vende. Në harkun kohor të disa muajve agjencitë e policisë mblodhën informacione duke bërë që autoritetet spanjolle në muajin mars të bastisnin disa qytete dhe të arrestonin 13 individë, përfshirë një oficer policie që punonte me kartelin.

Asokohe ata po përgatiteshin për të merrnin një dërgesë droge nga Amerika e Jugut. Operacioni vazhdoi dhe në muajin maj, kur 48 pjesëtarë të grupit kriminal u akuzuan në Slloveni për shpërndarje të kokainës dhe marihuanës në të gjithë Europën. Në ndërhyrjen e fundit u sekuestruan edhe makina luksoze e 700.000 dollarë kesh.

Top Channel