Biden merr dozën e tretë/ Presidenti i SHBA: Të vaksinohen sa më shumë njerëz

28/09/2021 12:18

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mori dozën e tretë përforcuese të vaksinës Pfizer kundër koronavirusit.

“Gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë, është të vaksinojmë më shumë njerëz”, tha Biden para se të merrte vaksinën.

Presidenti 78 vjeçar, e ka marrë dozën e parë të vaksinës më 21 dhjetor dhe dozën e dytë më 11 janar. Ai tha se edhe zonja e parë, Jill, do ta marrë së shpejti dozën përforcuese.

Javën e kaluar, Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në SHBA miratuan dozën përforcuese të vaksinës Pfizer për amerikanët 65 vjeç e lart dhe për ata me probleme të rrezikshme shëndetësore.

Dozat shtesë duhet të jepen së paku gjashtë muaj pas vaksinimit të plotë. Ato nuk janë miratuar ende për dy vaksinat e tjera që jepen në SHBA: Moderna dhe Johnon&Johnson.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë të premten se të dhënat për dozat përforcuese të këtyre dy vaksinave do të vlerësohen “në javët e ardhshme”.

Sipas CDC-së,  184 milionë amerikanë janë të vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, ose rreth 56 për qind e popullsisë.

Ekspertët presin që vetëm dozat përforcuese t`i sjellin rreth 26 miliardë dollarë fitime globale vitin e ardhshëm kompanive Pfizer dhe BioNTech.

Top Channel