Kryeministri Edi Rama i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin Open në Top Channel ka komentuar situatën e nxehtë mes Serbisë dhe Kosovës, pasi kjo e fundit vendosi reciprocitetin e targave.
Ai u shpreh se dialogu me Serbinë është shah dhe jo boks.
Kjo shprehje e tij nënkupton se ky konflikt duhet të zgjidhet me qetësi dhe strategji ashtu si loja e shahut dhe jo me dhunë.
Kujtojmë se konflikti mes Kosovës dhe Serbisë u thellua më shumë me vendosjen e reciprocitetit të targave. Më pas serbët bllokuan me kamionë dhe makina dy prej pikave kufitare Bërnjak dhe Jarinjë duke krijuar tensionim të situatës.
“Dialogu me Serbinë është shah jo boks, kjo është shah, janë dy gjëra shumë të rëndësishme, e para Kosova e ka fituar luftën. Aty del një gjeneral që mbështet manovrat që t’i japë zemër që t’i japë zemër bijve të Serbisë. Ai është një fantazmë që zgjohet dhe ju flet veshëve dhe mendjes atyre që janë të verbër komplet që djegin qendrën e regjistrimit të targave”, tha Rama.
Rama theksoi se Ballkani i Hapur është i vetmi mekanizëm që kanë aktualisht Kosova dhe Shqipëria për të hequr plotësisht kufirin mes dy vendeve.
Sipas tij, heqja e këtij kufiri nuk mund të bëhet me marrëveshje dypalëshe, sepse kundërshtohet nga partnerët ndërkombëtarë.
“Se të vjen Brukseli, të vjen Uashingtoni e të tjerë e të thonë: ça është kjo? Jo! Është Shqipëri e Madhe”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se nëse Kosova bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur, ku do të jetë edhe Serbia, atëherë kufiri me Shqipërinë mund të hiqet lehtësisht.
“Ballkani i Hapur nuk ka veto si BE. Ne mund të bëjmë ça të duam me kufirin me Kosovën, e pastaj Kosova të bëjë ça të dojë me kufirin e saj me Serbinë”, tha kryeministri.
Top Channel