Gjermania voton të dielën/ Socialdemokratët janë në avantazh, por nuk bëjnë dot shumicën

25/09/2021 21:22

Kancelaria Angela Merkel i kërkoi gjermanëve votën e tyre për të mbështetur pasardhësin e saj Armin Laschet në një përpjekje të fundit përpara shkuarjes në kutitë e votimit këtë të dielë.

Në garën për kancelar përballë 60 vjeçarit Laschet, është Social Demokrati Olaf Scholz .

Sondazhet më të fundit tregojnë se ata janë ngushtësisht afër njëri tjetrit me mbështetje duke i kthyer këto zgjedhje si më të paparashikueshmet vitet e fundit.

Socialdemokratët dhe konservatorët janë thuajse me mbështetje të barabartë, me 1 përqind diferencë (26/25%).
Socialdemokratët kanë kryesuar katër muajt e fundit në shumicën e sondazheve përballë konservatorëve, së fundi me një diferencë shumë të vogël, 2-3 përqind.

Merkel kishte planifikuar të mbante një profil të ulët gjatë fushatës elektorale duke përgatitur daljen nga politika pas 16 vitesh në pushtet.

Megjithatë iu desh të përfshihej në fushatën e ethshme në mbështetje të Armin Laschet .

Për të patur një gjermani me stabilitet tha Merkerl, Armin Laschet me patjetër duhet të zgjidhet kancelar dhe se CDU bashkë me CSU duhet të jenë forca më e madhe.

Gjatë fushatës elektorale nuk pati një temë të madhe polarizuese, siç qenë përshembull ajo e emigrantët në zgjedhjet e 2017-ës.
Ishte tema e emigrantëve që i katapultoi para katër vjetësh ultra të djathtët e AfD-së në partinë më të madhe të opozitës në Bundestag.

Gjermania voton me sistem proporcional, të personalizuar. Kjo do të thotë se çdo votues në Gjermani ka dy vota, të ashtuquajturat vota e parë dhe vota e dytë.

Me votën e parë, votuesi zgjedh një kandidat të caktuar, në njërën prej 299 zonave zgjedhore. Kjo garanton që në parlament të përfaqësohet çdo zonë elektorale, çdo rajon. Me votën e dytë, votuesi voton për listën kombëtare të një partie. Është vota e dytë që vendos për fuqinë me të cilën përfaqësohet një parti në Bundestag

Top Channel