Trashëgimtarja britanike kishte shpenzuar më shumë se €80,000 për të dashurin që e vrau – gjyqi (fotot)

24/09/2021 16:18

Ata ishin një çift i pazakontë. Trupvogël, e kuruar dhe veshur me delikatesë, e ndjera Anna Reed ishte bija e një milioneri britanik nga Yorkshire, i një dinastie financierësh dhe rritësish kuajsh të garave.

22-vjeçarja ishte në ambjentin e saj natyral duke pirë shampanjë në restorante luksi, si në ditet e fundit në liqenin Lago Maggiore në Zvicër.

Kurse i dashuri i saj 32 vjeçar me trupin e një bodyguard-i, kokën e rruar dhe i mbuluar me tatuazhe, gjithashtu e shijonte jetën e luksit, … por me shpenzimet e të tjerëve.

E përditshmja britanike The Sun shkruan se Anna kishte shpenzuar më shumë se 80,000 euro për të dashurin e saj gjerman Marc Schatzle.

Ajo ishte në një udhëtim pushimi rreth botës, që i kishte dhënë babai i saj Clive për ditëlindjen e 21-të, kur u njoh me Schatzle në Tailandë.

Pas natës së zbavitjes në qytetin zvicerjan, çifti ishin kthyer në dhomën e tyre 400 euro të hotelit Palma au Lac në Muralto, ku rreth orës 2 të natës Schatzle mbërtheu një peshqir rreth qafës së saj dhe e mbyti.

Kësaj jave në gjyqin në Lugano të Zvicrës, Schatzle tha se i vinte keq që kishte vrarë Anna.

Më parë ai kishte insistuar se Anna kishte vdekur aksidentalisht gjatë seksit në dhomën e hotelit më 9 prill 2019.

Schatzle tha: “Vendosa peshqirin rreth qafës së saj dhe nisa ta puthja, por ajo donte më shumë dhe unë vura dorën në peshqir dhe shtyva. E bënim shpesh këtë, asaj i pëlqente dhe kur donte të ndalonim ajo i binte dorës time, ky ishte sinjali.”

Por prokurorët thonë se Schatzle ishte i zhytur thellë në borxhe dhe vrau Anna për të marrë rreth 30 000 dollarët që Anna kishte në llogarinë e saj.

Prokurorja Petra Canonica Alexakis tha: “Marc Schatzle pëlqente jetën e bukur, pushimet dhe të tjerat, por i vetëm nuk mund t’i përballonte”.

“Kur ai njohu Anna, jeta e tij u ngrit në tjetër nivel. Ajo ishte ideale për të — e bukur, e dashur dhe më e rëndësishmja, e pasur. Ai e vrau atë për motive financiare sepse natën e vdekjes ata kishin debatuar dhe ajo kishte kërcënuar ta linte”.

“Ai shpiku sajesën e ‘lojës së seksit’ për të shpëtuar lëkurën e tij.”

Anna dhe motra e saj Millie, tashmë 27 vjeçare, janë rritur në zonën e pasur të Harrogate, Britani.

Babai i tyre Clive, 64 vjeç, drejton fermën e famshme të kuajve të garave Copgrove Hall, me rreth 200 hektarë toke e vlerë 25 milionë paundë.

Familja e tij ka një kompani shëndetësore me rreth 1000 persona staf dhe një pjesë e saj jetojnë në Monaco për të paguar më pak taksa.

Anna kishte studiuar në shkollën Ashville College në Harrogate ku një vit kushton 15,000 paundë, por megjithë pasurinë e familjes ajo ka punuar part-time në restorant dhe gjithashtu ka qenë babysitter.

Kur Anna ishte 17 vjeçe ajo humbi nënën e saj Mary, mësuese matematike, e cila vdiq papritur nga një rënie aksidentale nga shkallët.

Mary i la 250,000 paunde secilës prej vajzave të saj por tragjedia pasi efekt të rëndë te Anna, e cila la studimet në vitin e fundit të shkollës së mesme.

Miqtë e Anna-s thonë se nisi të shoqërohej me njerëz të gabuar dhe një herë përfundoi në spital pasi u rrëzua me motoçikletë e dehur.

Dje në gjyq, prokurorët thanë se kur çifti arriti në Zvicër, Anna ishte lodhur nga stili i shthurrur i jetesës së Schatzle dhe donte të distancohej.

Në orët e para të mëngjesit të 9 prillit, klientë të tjerë në La Palma au Lac ankoheshin te stafi për zhurmën e sherrit nga dhoma 501, pak para se Anna të vdiste.

Në gjyq u tha se Schatzle kishte zbritur me nxitim në recepsionin e hotelit dhe kërkoi një ambulancë pasi e dashura e tij ishte “bërë blu”.

Schatzle tha: “Dola me nxitim nga dhoma për të kërkuar ndihmë. Kur hoqa peshqirin pashë se në fytin e saj kishte një vijë të kuqe”.

Prokurorët thanë se Anna ishte aq e dobët në trup saqë nuk mund të luftonte kundër të dashurit që ishte tre herë sa pesha e saj.

Babai i Anna, Clive dhe motra Millie nuk kanë folur publikisht për vdekjen e saj dhe nuk ishin në gjykatë.

Prokuroria kërkon 20 vjet burgim për Schatzle.

Gjyqi vazhdon.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2021/09/21/trashegimtarja-britanike-gjendet-e-vdekur-ne-dhomen-e-hotelit-pas-lojes-se-seksit-me-te-dashurin-bodyguard-fotot/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA