Kreu taleban me një sy e një këmbë: Do rikthejmë ekzekutimet dhe prerjen e duarve!

24/09/2021 14:29

Talebanët përgatiten të rikthejnë ekzekutimet për personat e dënuarit për vrasje dhe prerjen e gjymtyrëve për të dënuarit për vjedhje. Lajmin ia konfirmoi agjensise Associated Press Nooruddin Turabi, një prej themeluesve të grupit dhe njeriu përgjegjes për aplikimin e ligjit të sheriatit në vend gjatë qeverisjes së mëparshme të mullahëve.

Edhe vetë me një sy e një këmbë, Turabi, emri i të cilit figuron në listën e zezë të Kombeve të Bashkuara, ka qenë gjithmonë shumë i prerë në lidhje me ekzekutimet dhe paralajmëron komunitetin ndërkombëtar të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Afganistanit.

“Na kritikojnë për ndëshkimet që ne japim, ndërkohë ne nuk i kemi ndërhyrë ndonjëherë tek ligjet dhe ndëshkimet e tyre”, është shprehur ai duke shtuar “ se do të vazhdojnë të ndjekin Islamin e t`i bëjnë ligjet e veta në bazë të Kuranit”.

Kreu taleban shpjegoi se do të jenë gjykatësit ata që do të vlerësojnë ndëshkimin ndërsa kujtoi se prerja e duarve, sipas tij, ka pasur efekt të madh gjatë kohës kur praktikohej në të shkuarën.

Kur morën pushtetin, talebanët thanë se shpresonin të fitojnë njohjen ndërkombëtare si “përfaqësues legjitim” të Afganistanit, e u përpoqën të tregojnë se kanë ndryshuar, por gjithmonë e më shumë veprimet e tyre dëshmojnë të kundërtën.

Top Channel