1 i vrarë dhe 12 të plagosur nga të shtënat me armë në një dyqan ushqimor në SHBA

24/09/2021 08:36

Të shtënat me armë në një dyqan ushqimor në Tenesi i morën jetën një personi dhe plagosjen e 12 të tjerëve të enjten pasdite.

Sulmuesi u gjet më pas i vdekur nga një plagë me armë zjarri në dyqanin në lindje të Memfisit, thanë autoritetet.

Shefi i Policisë së Koliervilit, Dale Lane tha se incidenti ndodhi në dyqanin Kroger, në një zone rreth 50 kilometra në lindje të Memfisit. Ai tha se gjithsej 13 persona u qëlluan dhe 12 prej tyre u dërguan në spitale, disa me plagë shumë të rënda.

Ai tha se një ekip i forcave speciale të policisë dhe oficerë të tjerë hynë në korridorin e dyqanit për të gjetur njerëzit që kërkonin mbrojtje ose ishin fshehur, duke i evakuuar ata. Ai tha se sulmuesi u gjet i vdekur nga një plagë e shkaktuar me armë zjarri.

Ne gjetëm njerëz të fshehur në frigoriferë dhe zyra të mbyllura. Ata po zbatonin mësimet që kishin marrë gjatë trajnimeve për këto situata: vraponi, fshihuni dhe luftoni“, tha zoti Lane.

Autoritetet nuk kanë zbuluar ende identitetet e sulmuesit dhe viktimave.

Lane tha se ishte një ditë e trishtuar për departamentin e tij ndërsa foli në një konferencë shtypi pas të shtënave pranë vendit të ngjarjes.

Unë kam punuar këtu për 34 vjet dhe kurrë nuk kam parë diçka të tillë“, u tha ai gazetarëve, ndërsa shtoi se hetimet për ngjarjen kanë filluar.

Top Channel