“Duel i heshtur”, pamje me dronë: Krijohet “muri” me makina policie para emigrantëve!

23/09/2021 14:05

Fotot nga llogaria në Twitter e Departamentit të Sigurisë Publike në Teksas tregojnë sesi janë rreshtuar makinat patrulluese përpara emigrantëve në kufi, duke krijuar kështu një mur të pakalueshëm për ata që kërkojnë të hyjnë ilegalisht në SHBA, me shpresën e një jetë më të mirë.

“Asnjë hap përpara mos hidhni”, është mesazhi i përcjellë klandestinëve. Mijëra emigrantë, shumica nga Haiti, po jetojnë në një kamp të improvizuar poshtë një ure dhe tentojnë vazhdimisht kalimin e vijës kufitare.

Administrata e Presidentit Biden po përdor një politikë të debatueshme si bazë për dëbimin masiv të më shumë se 12,000 haitianëve që kanë mbërritur në kufirin jugor amerikan me Meksikën në përpjekje për të kërkuar azil.

Mbështetësit e emigracionit po e kritikojnë si diskriminues përdorimin nga ana e administratës Biden të një urdhri të debatueshëm shëndetësor të vendosur nga administrata Trump. Urdhri mbështetet tek një ligj i shëndetit publik dhe lejon dëbimin e migrantëve si rezultat i pandemisë.

Në veprime që nuk ndryshojnë shumë nga ato të paraardhësit te Biden në krye të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump lidhur me emigracionin e paligjshëm, qeveria amerikane po sfidon dhe vendimin e një gjykatësi federal për të ndaluar përdorimin e urdhrit për kthimin mbrapsht të familjeve me fëmijë, i cili përcakton një afat dyjavor për veprimin e administratës.

Top Channel