Mospajtimet për paktin AUKUS/ Biden komunikon për herë të parë me Macron që nga shpërthimi i krizës

22/09/2021 19:53

Presidenti Joe Biden, ditën e sotme ka komunikuar me Presidentin francez, Emmanuel Macron, pas krizës diplomatike që lindi mes dy vendeve, për shkak të vendimit të Australisë që të heqë dorë nga marrëveshja për blerjen e nëndetëseve elektrike franceze, dhe të arrijë marrëveshje të re me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë për nëndetëse me kapacitet bërthamor.

Mediat e huaja shkruajnë se Biden pranoi se SHBA ka bërë hapa të gabuar në bisedime. Një deklaratë e përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe Francës bëri të ditur se Macron dhe Biden “ranë dakord se situata nuk do kishte ardhur në këtë pikë, por do të ishte rregulluar nga konsultimet e hapura midis aleatëve për çështje me interes strategjik për Francën dhe partnerët tanë evropianë.”

Pranimi i gabimit ishte një sinjal se sa seriozisht të dyja palët po e marrin mosmarrëveshjen diplomatike, e cila ka çuar në pikën më të ulët marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Francës që nga epoka e “Fries Freedom”.

Bisedimet pritej të ishin të tensionuara. Macron ka mbajtur komente publikisht mbi mosmarrëveshjen, duke pritur që zemërimi i tij të transmetohet drejtpërdrejt tek Biden.

Vetë Biden ka injoruar të gjitha pyetjet mbi mosmarrëveshjen në Francë që kur shpërtheu kriza në fund të javës së kaluar, por zyrtarët thanë se ai ishte i befasuar nga reagimi i madh nga Parisi dhe donte të rregullonte gjërat me homologun e tij.

Në thirrjen e tyre, Biden dhe Macron ranë dakord të takohen në fund të muajit të ardhshëm në Evropë. Biden kishte planifikuar të merrte pjesë në një samit të G20 në Romë në fund të tetorit.

Të dy udhëheqësit kanë vendosur të hapin një proces konsultimesh, që synojnë krijimin e kushteve për sigurimin e besimit dhe propozimin e masave konkrete drejt objektivave të përbashkëta” thuhej në deklaratë.

Macron gjithashtu pranoi të kthejë ambasadorin e tij në Uashington, pasi e tërhoqi atë për konsultime në Paris. Një zyrtar në Élysée, zyra presidenciale franceze, tha se Macron priste që Biden të japë sqarime se si u arrit marrëveshja pa konsultime me francezët.

Top Channel