Konfiskohen tre tonë heroine afgane, vlera miliarda dollarë- kalohej si mineral!

21/09/2021 14:59

Zyrtarë indianë të anti-kontrabandës, kanë konfiskuar gati tre tonë heroine afgane ne portin e Guxharatit.

Lënda narkotike llogaritet të mbërrinte vlerën e gati 3 miliardë dollarëve, megjithatë po kryehen testime të mëtejshme për të përcaktuar qartë kuotimin e saj.

Dy persona kanë përfunduar në pranga dhe shumë të tjerë janë nën hetim, thanë zyrtarë vendas. Mësohet se dërgesa është nisur nga Afganistani, ku deklarohej sikur në përmbajtje kishte vetëm gurë mineralë.

Në Guxharat, ajo mbërriti përmes Iranit.

“Hetimet e kryera deri më tani kanë treguar përfshirjen e  zyrtarëve afganë, të cilët janë nën hetime”, tha Drejtoria për Inteligjencë e të Ardhurave. Afganistani është prodhuesi më i madh i opiumit, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin. Opiumi i mbledhur atje përbën më shumë se 80 për qind të furnizimit botëror. Bimët e tij përpunohen për të formuar bazën për disa droga, përfshirë këtu heroinën, të cilat tek njerëzit mund të shkaktojnë shumë varësi.

Top Channel